
Programe pas të mesmes për më shumë mundësi punësimi
Kompanitë e sektorit privat po japin një kontribut të dukshëm në ofertën e arsimit profesional në partneritet me ofruesit partnerë të projektit “Aftësi për Punë”. Ofruesit partnerë janë tashmë të përkushtuar që ta përshtasin ofertën sipas nevojave të tregut të punës. Kjo i integron më shpejt në tregun e punës të rinjtë e diplomuar, duke siguruar punonjës më të kualifikuar dhe më shumë produktivitet për kompanitë.
Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë (SHTET) është shkolla e parë profesionale që ofron kualifikim profesional pas të mesmes që korrespondon me nivelin 5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimit. Në vitin akademik 2020-2021, SHTET po ofron programin dy-vjeçar “Dizenjim Mode”. Ky program për të rritur përgatit si individë për hyrje në profesion ashtu edhe ata që kërkojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre. Ai zhvillon kompetenca praktike, të lidhura me botën e punës.
Programi mund të ndiqet nga të gjithë të rinjtë e të rejat që kanë mbaruar me sukses arsimin e mesëm të përgjithshëm, të cilët në fund pajisen me certifikatën e dizenjuesit të modës. Pas certifikimit, ata mund t’i drejtohen tregut të punës si dizenjues mode në ndërmarrje të ndryshme të prodhimit të veshjeve, në punishte artizanale dhe atelie mode apo të vetëpunësohen.
