Pse është e rëndësishme të mbështeten mësuesit në përdorimin e TIK?
Roli i Mbështetësit në Teknologjinë e Informacionit është mjaft i rëndësishëm në përditshmërinë e institucioneve arsimore në ditët e sotme. Në një moment kur institucionet partnere të projektit ‘Aftësi për Punë’ janë pajisur me infrastrukturën e nevojshme TIK, prezantimi i këtij roli ka rezultuar i suksesshëm për t’i dhënë një dimension tjetër përdorimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës dhe aseteve TIK, duke synuar qëndrueshmërinë.
Ndërkohë që shkollat partnere, në kuadër të përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe integrimit të metodave bashkëkohore të mësimdhënies, kanë ndërmarrë nisma duke përfshirë përdorimin e teknologjisë si në mësimdhënie ashtu dhe në menaxhimin e institucioneve, krijimi i këtij pozicioni brenda shkollës është parë i domosdoshëm. Ky pozicion, më parë i ndërmarrë vullnetarisht nga mësues me iniciativë dhe aftësi të mira në TIK, ka për qëllim përdorimin dhe mirëmbajten e infrastrukturës, menaxhimin dhe administrimin e platformës MësoVET, mbështetjen e përdoruesve dhe zgjidhjen e problematikave të ndryshme që dalin gjatë përdorimit. Mështetësit TIK në shkolla mund të përfshihen lehtësisht me njohuritë që kanë për të asistuar mësuesit dhe nxënësit në përdorimin e materialeve digjitale të disponueshme në platformë, ngarkimin e materialeve të reja, krijimin e kurseve, etj. Gjithashtu ata mund të transferojnë njohuritë e tyre tek mësuesit dhe nxënësit, duke i kapacituar ata në aspekte teknike të përdorimit të platformës MësoVET, si dhe infrastrukturës në përgjithësi, për realizimin e një ore mësimore efektive me në qendër nxënësin.