Pyet ekspertin: Edlira Kola

Pyet ekspertin: Edlira Kola

Edlira Kola ka kryer studimet doktorale në universitetin Blaise-Pascal në Clermont-Ferrand, Francë. Prej vitit 2010 punon si pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në Universitetin e Tiranës, si dhe prej vitit 2017 është angazhuar si konsulente e jashtme në projektin “Aftësi për Punë”.

Në mungesë të librave, shumë mësues hartojnë materialet e tyre për përdorim të përditshëm me nxënësit. Çfarë duhet të kenë parasysh ata kur hartojnë këto materiale në mënyrë që objektivat mësimorë të arrihen dhe ora e mësimit të jetë interesante? 

Mungesa e teksteve bazë apo e materialeve mbështetëse të çertifikuara është sfiduese për mësuesit. Shpesh, ata detyrohen të hulumtojnë në burime të ndryshme, duke përzgjedhur, sintetizuar, përshtatur dhe organizuar materiale që i konsiderojnë të vlefshme. Në këtë rast, dy janë sfidat kryesore me të cilat mësuesit përballen: së pari, përmbushja, nëpërmjet materialit të hartuar, e objektivave mësimore të temës apo çështjes dhe, së dyti, përshtatja e materialit të hartuar për një orë mësimi ndërvepruese dhe tërheqëse për nxënësit.

Çfarë duhet patur parasysh?

Në lidhje me objektivat mësimorë, si hap i radhës pas përpilimit të tyre, është hartimi i përmbajtjes mësimore, pra evidentimi i elementeve (koncepte, fakte, dukuri, procese, procedura, ide, risi, etj.) që janë të domosdoshme për t’u trajtuar dhe që mbështetin përmbushjen e objektivave. Përpilimi i një liste të tillë i orienton miri mësuesit të përzgjedhin nga burime të ndryshme informacionin që u nevojitet, gjithnjë bazuar në njohuritë dhe aftësitë që nxënësit kanë përftuar më parë, nivelin mesatar të tyre në hyrje, nevojat dhe interesat.

Mbi bazën e përmbajtjes, duke iu referuar secilit objektiv mësimor, nis procesi i hartimit të materialit mësimor, duke evidentuar, hap pas hapi, se ku dhe si materiali i përgjigjet përmbushjes së objektivave. Natyrisht, materiali mësimor nuk është thjesht një tekst ku integrohen disa objektiva. Ai duhet të vijë i mirëstrukturuar, për të mbështetur një orë mësimi efektive, që nis me “thyerjen e akullit” dhe përqëndrimin e nxënësve e që mbyllet me të kuptuarit se në ç’shkallë janë arritur objektivat mësimorë.

Një strukturë e propozuar është MAIPA, sipas së cilës, materiali mësimor, ashtu si ora e mësimit bazuar në të, nis me një element mirëseardhës (M –video motivuese, citat, sondazh etj.), ndiqet nga aktivizimi i njohurive ekzistuese (A – pyetje, tabelë ndërvepruese, quiz i shkurtër, etj.), vazhdon me informimin, përpunimin dhe transferimin e njohurive dhe aftësive (I – jepen njohuritë e reja dhe P – përpunohen e transferohen te nxënësi bashkë me një detyrë) dhe përmbyllet me analizën që dëshmon nëse objektivat mësimorë janë arritur (A – quiz, dilemë, rast studimi, etj.).