Raporti mbi funksionimin e mësimit në distancë, Tetor 2020
Ky është studimi i tretë realizuar nga projekti “Aftësi për Punë” për mësimdhënien në distancë online zhvilluar gjatë pandemisë në 9 shkollat partnere të projektit. Qëllimi kryesor i këtij punimi është të sjellë së bashku përvojën e shkollave partnere të projektit në mësimdhënie gjatë periudhës së pandemisë dhe masat e nevojshme për ecurinë e procesit mësimor në distancë online. Zhvillimi i mësimit në distance online gjatë pandemisë nxori në pah problematikat e realizimit të mësimit, pasojat e reformave të prapambetura, por njëkohësisht vullnetin dhe punën e madhe të mësuesve dhe nxënësve për të bërë më të mirën në kushtet ekzistuese. Mbase një nga konkluzionet më pozitive të mësimit gjatë pandemisë ishte pikërisht fakti që integrimi i teknologjisë së informacionit në procesin mësimor është një domosdoshmëri për të përshtatur procesin me kërkesat e tregut dhe me nevojat e nxënësve.
Për përgatitjen e raportit u realizuan intervista me drejtuesit e 9 shkollave partnere të projektit, me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe drejtuesen e Agjencisë Kombëtare të Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK).
Gjithashtu, për të analizuar situatën e shkollave janë përdorur gjetjet nga studimet e mëparshme të realizuara nga S4J me mësuesit dhe nxënësit gjatë periudhës së pandemisë.