
Roli i akteve rregullatore: Trajnim kombëtar për funksionimin efikas të institucioneve të AFP
Aktet rregullatore janë dokumente zyrtare që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të strukturave dhe procedurat e proceset e brendshme, zbatimi i të cilave garanton funksionim efikas të institucioneve të arsimit profesional.
Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive realizoi një cikël trajnimesh kombëtare mbi rolin dhe rëndësinë e njohjes dhe zbatimit të akteve rregullatore në institucionet e AFP. Aktiviteti u zhvillua gjatë muajit shkurt në katër rajone: Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Shkodër.
Gjatë trajnimit, u trajtuan tema si:
- Roli dhe rëndësia e akteve rregullatore në administrimin e institucionit
- Mekanizmat për funksionimin institucional dhe menaxhimi i burimeve njerëzore
- Rishikimi dhe zbatimi i rregulloreve dhe përshkrimet e proceseve të punës
Pas 9 vitesh përvojë dhe bashkëpunim me shkollat partnere, S4J mbështeti hartimin e 9 rregulloreve të brendshme dhe 22 përshkrimeve të punës tip që tashmë janë aprovuar nga AKPA dhe do të përdoren nga të gjithë ofruesit e arsimit profesional. Kjo nismë mbështet të gjitha shkollat profesionale për konsolidimin e strukturave dhe menaxhimin e proceseve të punës.



