Roli i Lidershipit në transformimin digjital
Një nga pritoritetet strategjike të projektit “Aftësi për Punë” që prej fillimeve të tij dhe sidomos gjatë këtij viti shkollor është lehtësimi i transformimit digjital dhe modernizimit të arsimit profesional në Shqipëri. Kjo nismë ka kontribuar dhe në një nga shtyllat e rëndësishme të Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2030, atë të “Digjitalizimit të AFP”. Në këtë kuadër projekti është angazhuar për të siguruar modernizimin e procesit mësimor, kapacitimin e mësuesve, drejtuesve, nxënësve, përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie etj.
Më qëllim rritjen e kapaciteteve të drejtuesve në menaxhimin e transformimit digjital të shkollës, në dhjetor 2022 projekti “Aftësi për punë” zhvilloi një trajnim 3 ditor me temë “Roli i lidershipit në transformimin digjital të arsimit profesional”. Trajnimi u realizua nga Emanuel A. Ëuthrich, këshilltar pranë Universiteti Federal për Arsimin dhe Trajnimin Profesional i Zvicrës (SFUVET).
Trajnimi u fokusua në strategjitë për nxitjen e mendësive pozitive të mësimdhënies, krijimin e një kulture pozitive dhe komunikimin efektiv në klasë, strategjitë aktive të të nxënit, menaxhimi i ndryshimit, planifikimi strategjik dhe komunikimi.
Me qëllim pajisjen e pjesëmarrsve me mjete praktike që ata të mund t’i përdorin në institucionet e tyre për të planifikuar dhe implementuar iniciativat digjitale, pjesëmarrësit punuan në grupe për krijimin e një “plani” për digjitalizimin e shkollës së tyre për vitin e ardhshëm.
Pjesëmarrësit e vlerësuan trajnimin si shumë efektiv dhe të dobishëm për të adresuar sfidat aktuale dhe për të pasur një qasje pozitive përsa i përket digjitalizimit dhe modernizimit të arsimit profesional.