Rotacioni sipas stacioneve: një orë mësimore ndryshe në lëndën e matematikës
Të mbash nxënësit aktivë gjatë orës së matematikës është një ndër sfidat kryesore me të cilën mësuesit e kësaj lënde ndeshen. Kjo lëndë perceptohet si e vështirë nga ana e nxënësve dhe besimi i tyre në aftësinë për të nxënë është i ulët. Si rrjedhojë, edhe angazhimi i tyre është i kufizuar. Një orë tradicionale, ku të gjitha veprimtaritë drejtohen nga mësuesi dhe nxënësi qëndron pasiv, nuk krijon hapësirë për ta bërë lëndën e matematikës tërheqëse dhe nuk arrin të nxitë imagjinatën e tyre. Me dëshirën për të sjellë një orë mësimi ndryshe, Ersuela Spari, mësuese e lëndës së Matematikës në shkollën “Gjergj Canco”, është munduar të integrojë elemente të ndryshme angazhuese dhe ndërvepruese për t’i pozicionuar nxënësit e saj në qendër të procesit mësimor.
Për të trajtuar temën “Kongruenca dhe ngjashmëria”, mësuese Ersuela ka përzgjedhur të aplikojë një ndër modelet e mësimit të kombinuar me rotacion, atë të rotacionit sipas stacioneve. Arsyeja e përzgjedhjes së këtij modeli qëndron në faktin se, gjatë orës mësimore, nxënësve u ofrohet një shumëllojshmëri veprimtarish që nxitin ndërtimin e njohurive dhe angazhimin e vazhdueshëm. Ora planifikohet në formë të tillë që nxënësit të zhvendosen të gjithë së bashku nga një veprimtari (stacion) në tjetrën, duke alternuar modalitin ballë për ballë me atë online. Në këtë mënyrë, nxënësit mund të kryejnë hulumtime online rreth një teme, të bashkëpunojnë në grup për zgjidhjen e një problemi, si dhe të përfshihen në diskutime duke ndërvepruar me mësuesen dhe njëri-tjetrin.
Për të mësuar më shumë se si mësuese Ersuela planifikon një orë mësimore për të aplikuar këtë qasje, se si e realizon atë me nxënësit dhe mësimet e nxjerra prej saj, ju ftojmë të lexoni artikullin dedikuar këtij rasti në publikimin ‘Mësimi i kombinuar, një zgjidhje efektive për të nxënit në arsimin profesional – Raste të mira 2022’.