Shkollat profesionale mirëpresin brezin e ri
21 Tet 2019
Që nga viti akademik 2018-2019, ofruesit e AFP-së partnerë të S4J e kanë bërë përparësi të tyre mirëpritjen e nxënësve të klasës së 10-të në mënyrat më të mira. Për të ofruar mbështetje për këtë, “Aftësi për Punë” ka përgatitur dhe vënë në dispozicion të ofruesve një manual për orientimin e të porsaardhurve gjatë javës së parë të shkollës (klikoni këtu për manualin në gjuhën shqipe).
Një shumëllojshmëri aktivitetesh u organizuan këtë vit nga shkollat partnere, përfshirë:
- Seanca orientimi me mësuesit kujdestarë gjatë të cilave nxënësit u njohën me rregulloren e shkollës, funksionet Qeverisë së Nxënësve dhe procesin për zgjedhjen e qeverisë;
- Prezantimi me Njësinë e Zhvillimit, gjatë së cilës nxënësit u njohën me funksionet e saj, veçanërisht funksionin e Orientimit dhe Këshillimit të Karrierës;
- Njohja me shërbimet mbështetëse të shkollës, sikurse është shërbimi i Psikologjisë;
- Vizitë nëpër mjediset shkollore, gjatë së cilës nxënësit u njohën me hapësirat e përbashkëta të mësimit, laboratorët, etj.;
- Sesione të Rrëfimit të Historive nga punëdhënësit, me përfaqësues nga bizneset partnere të shkollave;
- Sesione me histori suksesi me ish-nxënës, të cilët ndanë përvojën e tyre me të porsaardhurit;
- Vizita studimore në mjediset e bizneseve partnere;
- Aktivitete prezantimi dhe të ndërtimit të ekipit me shokët e klasës dhe shokët e shkollës;
- Takime mësues-prindër, gjatë të cilave prindërit u njohën me rregulloren e shkollës, u njohën me funksionet e Këshillit të Prindërve dhe procesin për zgjedhjen e tij, si dhe morën informacion për kompetencat profesionale që ofron shkolla;
- Pjesëmarrja e nxënësve në aktivitete të organizuara së bashku me aktorë të tjerë lokalë, si “Dita Botërore e Turizmit”, “Dita e Bregdetit”, “Java e Trashëgimisë Kulturore”, etj.;
- Vizita studimore në pikat kryesore të qytetit dhe aktivitete sportive.
Më shumë aktivitete orientimi do të pasojnë në ofruesit partnerë gjatë muajve tetor dhe nëntor.