SHTET: Rruga drejt digjitalizimit
Në fazën e dytë, projekti Aftësi për Punë zgjeroi mbështetjen për 3 ofrues të tjerë të arsimit profesional. Në fund të tetorit të vitit 2019, pas dy muajve përgatitjesh dhe negociatash, Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë (SHTET) dhe projekti Aftësi për Punë nënshkruan një plan të përbashkët vjetor pune. Të dyja palët ishin zotuar të fokusonin angazhimin e tyre gjatë vitit të parë, në promovimin e një bashkëpunimi të ngushtë me kompanitë e sektorit privat, si një mënyrë për të diversifikuar ofertën dhe për të mbetur relevant për nxënësit dhe sektorin privat duke qënë se parashikimet tregonin një rënie të mundshme të regjistrimeve të reja.
Bazuar në një vlerësim, projekti bëri një investim (fillestar) 10 laptopë për mësuesit dhe 59 desktop, disa për klasat ku do të pilotohej mësimi i kombinuar, dhe disa për një laborator IT-je. Në atë kohë, raporti student për kompjuter në SHTET ishte 78 me 1. Në të njëjtën kohë, norma mesatare në Shqipëri ishte 31 me 1 (të dhënat e UNICEF), ndërkohë që mesatarja për BE ishte 7 me 1. Pajisjet e reja u instaluan në mes të nëntorit 2019. Pothuajse dy javë më vonë, në 26 nëntor, Shqipëria qendrore u godit nga një tërmet vdekjeprurës. Ai detyroi mbylljen e të gjitha ndërtesave publike, përfshirë SHTET-in, për një periudhë disa javore. Në dhjetor, kompania e ndërtimit informoi drejtuesit e shkollës se punimet e rindërtimit ishin (më në fund ) duke filluar. Çfarë fillimi i vështirë për një projekt që synonte të niste një proces transformimi!
Ndërsa mësuesit dhe nxënësit ishin vendosur, në fillim të janarit 2020, në dy godina të tjera shkollore, gjërat filluan të funksiononin disi normalisht. Më 11 mars, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e deklaroi CoViD-19 një pandemi. Shumica e vendeve në botë hynë në izolim. Mbi një miliard nxënës dhe mësuesish të detyruar të vazhdojnë mësimdhënien dhe të mësuarit në distancë.
Në këtë moment, mësuesit dhe drejtuesit e SHTET-it kërkuan ndihmë nga projekti Aftësi për Punë. Ideja e tyre ishte të shpërndanin desktopët dhe laptopët për mësuesit për t’i përdorur në shtëpitë e tyre si një mënyrë për të qëndruar të lidhur me nxënësite dhe për të qenë në gjendje të drejtojnë disa procese mësimdhënieje. Më 17 mars, kompjuterët u dërguan në shtëpitë e mësuesve dhe kështu filloi një udhëtim që do të shërbente si pikë fillestare për procesin e transformimit të SHTET. Projekti Aftësi për Punë u ofroi asistencë teknike mësuesve nga ekspertë kombëtare dhe ndërkombëtarë se si të bashkëpunonin me nxënësit nga distanca dhe si të përpiqeshin të krijonin disa kushte praktike të të mësuarit. MësoVET.al – platforma online e bazuar në Moodle e zhvilluar nga projekti Aftësi për Punë kishte si mision kryesor të saj mënyrat e reja të të mësuarit, dhe ishte adaptuar për të përballuar fluksin e përdorimit që mori gjatë pandemisë. Gjatë pjesës tjetër të vitit shkollor u zhvilluan mbi 20 trajnime, të cilat kishin në fokus këshillimin e mësuesëve mbi zhvilliminë e mësimdhënies online, të vlerësimit dhe angazhimit më mirë të nxënësve. Filluan të shfaqeshin komunitetet e praktikës mes mësuesve pasi lindi nevoja që ata të ndanin sfidat dhe të shkëmbenin përvojat me njëri tjetrin. Ndërkohë që shumica e mësuesve në Shqipëri komunikonin në WhatsApp për të angazhuar nxënësit e tyre në disa forma të të mësuarit, mësuesit e SHTET-it ndërvepronin me nxënësit e tyre në Google Meet, ZOOM dhe platforma të ngjashme.
Nevoja për përmbajtje të përshtatshme online u bë më e theksuar, 13 nga mësuesit më të mirë të SHTET u angazhuan për të zhvilluar materiale mësimore cilësore, të cilat më pas u digjitalizuan dhe u vunë në dispozicion për të gjitha shkollat e arsimit profesional në vend në platformën MësoVET.
Pas trajnimeve intensive dhe mentorimit nga ekspertët e projektit Aftësi për Punë, me hapa të ngadaltë por të qëndrueshëme, mësuesit e SHTET filluan të përdorin MësoVET (nga 3% në prill 2020 në 60% në dhjetor 2021). Gjatë vitit shkollor 2021-2022, 60% e nxënësve përdornin MësoVET rregullisht për klasat e tyre. Disponueshmëria e materialeve mësimore për të gjitha lëndët e teorisë profesionale në platformë solli një ndryshim të rëndësishëm duke rezultuar në rritjen e përdorimit të mësimit të kombinuar nga nxënësit. Në fund të vitit shkollor 2020-2021, SHTET përdori MësoVET për të zhvilluar provimet përfundimtare për disa klasa. Në fund të muajit maj 2021-2022, 100% e nxënësve i dhanë provimet e tyre online nëpërmjet MsoVET. Rezultatet u prodhuan automatikisht, duke u kursyer mësuesve shumë kohë korrigjimi, dhe pavarësisht skepticizmit fillestar, procesi i menaxhuar nga platforma rriti drejtësinë duke shmangur ankesat e nxënësve (sipas drejtorit të shkollës:). Çdo klasë e SHTET-it tashmë është e pajisur me kompjuter, televizor inteligjent ose projektor. Veçoria më e re e përdorimit offline të MësoVET do ta bëjë edhe më të lehtë për nxënësit qasjen ndaj materialeve, pa internet, jashtë shkollës. Kjo do të sjellë një ndryshim për nxënësit që vijnë nga zonat rurale ku qasja në internet është 5 herë më e ulët krahasuar me zonat urbane (të dhënat e INSTAT).
Për më tepër, në vitin 2020 SHTET filloi të përdorë softuerin AlphaWeb si material mësimor për nxënësit. Në vitin 2022 ata nënshkruan një marrëveshje me Financa 5. Në vitin 2022, shkolla bleu një program (software) për studentët e drejtimit Tekstil-Modë. Për vitin shkollor 2022-2023, është duke u hartuar një marrëveshje e re me kompaninë Logical, për të përdorur zgjidhjet e tyre programore si material mësimore. Tani, mësuesit, nxënësit dhe stafi drejtues shfaqen rregullisht në shumë botime, evente kombëtare dhe ndërkombëtare për të ndarë përvojën e tyre me pjesëmarrës nga Zvicra, Serbia, Franca, Irlanda, Kamboxhia, Italia. Të gjitha këto aktivitete, janë organizuar në distancë, kështu që JO, ata nuk po shpenzojnë aq shumë para për të shkëmbyer eksperiencat e tyre. E megjithatë ata do të dëshironin të të udhëtonin pak më shumë. Ndoshta vitin e ardhshëm ky do të jetë fokusi i aplikimeve të tyre për Erasmus Pro :).
Të vendosur në përkushtimin e tyre për modernizimin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, SHTET-i këtë herë e ka vendosur ambicien pak më të lartë. Shkolla ka firmosur një partneritet midis Shoqatës Shqiptare të e-commerce dhe AKAFPK-së për të eksploruar cilat do të jenë profesionet e reja të e- commerce për të rinjtë në Shqipëri. Duket se ata e kanë nxjërrë një mësim tashmë “nuk ka e-commerce pa përfshirjen e teknologjisë në arsim”.