Si mësojnë të rinjtë sot?
05 Pri 2023
Të mësuarit është një proces tepër i rëndësishëm në të ardhmen dhe suksesin e të rinjve. Shpesh mësuesit dhe prindërit e gjejnë të vështirë të gjejnë gjuhën e duhur me fëmijët apo nxënësit e tyre për t’i nxitur ata drejt të mësuarit. Nga ana tjetër dhe vetë të rinjtë kërkojnë gjithmonë e më shumë mënyra të të mësuarit në kohë të shpejtë, në mënyrë të përmbledhur si edhe burime lehtësisht të aksesueshme të informacionit të synuar.
Në këtë artikull do të gjeni disa nga metodat e të mësuarit që disa të rinj preferojnë apo mund ta gjejnë veten në to:
- Të mësuarit nëpërmjet videove shpjeguese, preferohet nga të rinjtë. Informacioni merret në kohë të shpejtë, dhe është praktike për t’u parë apo dëgjuar.
- Paraqitja e informacionit të përmbledhur në grafik, tabela përmbledhëse etj. Duke shmangur tekstet e gjata informuese dhe detajet e panevojshme.
- Nëpërmjet praktikës apo eksperimentimit. Një pjesë e madhe e të rinjve e kanë më të lehtë përthithjen dhe konceptimin e njohurive duke e parë atë më nga afër.
- Të mësuarit në grup. Shkëmbimi i ideve, opinioneve dhe njohurive në grup duket se është një mënyrë argetuese dhe efektive e të mësuarit.
- Media Online. Është një mënyrë e marrjes së informacionit të shpejtë, të përmbledhur dhe që të jep mundësinë ta ndjekësh në çdo kohë dhe kudo. Një shembull i mirë janë dhe profesionistët të cilët nëpërmjet rrjeteve sociale prezantojnë punën e tyre në mënyrë të përmbledhur ose zhvillojnë kurse/trajnime online që me sa duket shfaqin interes të lartë tek të rinjtë si ndjekës të tyre.
- Kur të rinjtë e zgjedhin vetë atë çka ata duan të mësojnë. Shumë të rinj shprehen se është më e lehtë për ta të mësojnë mbi një temë që ata vetë e kanë zgjedhur, se sa një temë mbi të cilën janë të detyruar ta mësojnë.
Një miksim i këtyre metodave, përdorimit të teknologjisë, shpjegimit të mësuesve apo praninë e librit do të ishte një kombinim gjithëpërfshirës dhe i frytshëm për të rinjtë.