Si mund të përdoret platforma MësoVET tani që mësuesit janë kthyer në klasë?

Si mund të përdoret platforma MësoVET tani që mësuesit janë kthyer në klasë?

Në çdo klasë, ka nxënës që ngrenë dorën për të marrë pjesë në mësim, por ka edhe nxënës të cilët hezitojnë të angazhohen. Mësuesi duhet të përpiqet t’i përfshijë të gjithë në aktivitetet e klasës dhe të shmangë dëgjimin pasiv. Për të realizuar këtë, secili nxënës duhet të bindet që informacioni i cili ai përfiton duke u aktivizuar në mësim është mjaftueshëm i rëndësishëm dhe e meriton përkushtimin e tij. Kështu, nxënësi motivohet të konsultohet individualisht me materialet edhe jashtë ambjenteve të shkollës.

Nxënësi mund t’i realizojë të gjitha këto, por vetëm më ndihmën e mësuesit. Platforma MësoVET mund t’i vijë në ndihmë këtyre të fundit për të nxitur pjesëmarrjen e nxënësve në mësim dhe rritur bashkëveprimin midis tyre në klasë, dhe jo vetëm, duke thyer rutinën e zakonshme të mësimit tradicional.

Nëpërmjet funksionaliteteve që ofron dhe larmisë së materialeve dhe vepritmarive, platforma MësoVET mundëson përdorime të ndryshme të saj gjatë orës së mësimit. Gjatë zhvillimit të një teme mësimore apo çështjeje, mësuesit mund të mbështeten tërësisht në materialin mësimor në platformë ose të përzgjedhin rubrika apo veprimtari të caktuara të saj, në varësi të mënyrës se si duan ta ndërtojnë orën e mësimit. Mësuesi mund të përzgjedhë ta shfaqë përmbajtjen digjitale të nxënësit nëpërmjet SmartTV ose videoprojektorit:

  • duke nxitur një diskutim të paraqitur në platformë, në të cilin nxënësit marrin pjesë gojarisht;
  • duke shfaqur një kuic, ku mësuesi vendos përgjigjet sipas sugjerimeve të nxënësve;
  • duke iu përgjigjur gojarisht pyetjeve mbi një rast studimi etj.;

ose mund t’i udhëzojë nxënësit për të marrë pjesë aktive në platformë nëpërmjet pajisjeve që disponojnë (aparate celulare apo laptopë):

  • duke realizuar në mënyrë të njëkohshme një kuic nëpërmjet platformës;
  • duke u përgjigjur në hapësirat boshe kushtuar pyetjeve apo diskutimeve;
  • duke ndjekur një video dhe duke postuar komentin e tyre etj.

Për të shfrytëzuar optimalisht kohën e qëndrimit në klasë, mësuesi mund të ndjekë nëpërmjet platformës edhe metodën e “klasës së përmbysur”, duke iu kërkuar nxënësve të njihen apo të punojnë paraprakisht me një pjesë të materialit mësimor në shtëpi (zakonisht jepet pjesa teorike, e cila mund të kërkohet të lexohet, të përmblidhet në formë konspekti, të evidentohen vështirësitë apo paqartësitë etj., ose një video shpjeguese, të cilën nxënësi e ndjek dhe e përsërit sipas nevojës së tij), ndërkohë që orën vijuese të mësimit në klasë mund t’ia kushtojë koncepteve në të cilat nxënësit ndeshin vështirësi, veprimtarive praktike, ushtrimeve etj., në varësi edhe të specifikave të lëndës.