Si mund të përmirësohen mësuesit nëpërmjet vlerësimit dhe feedback-ut të nxënësve?

Si mund të përmirësohen mësuesit nëpërmjet vlerësimit dhe feedback-ut të nxënësve?

Metodologjitë e mësimdhënies tani më shumë se kurrë, janë në ndryshim të vazhdueshëm, gjë e cila i detyron mësimdhënësit të përshijnë elementë të ndryshëm, në përshtatje me metodat bashkëkohore të mësimdhënies.

Por a janë ato gjithnjë të përshtatshme dhe të kuptueshme nga nxënësit? Si mund ta kuptojë mësuesi nëse metodat e tij të mësimdhënies kanë impakt pozitiv tek ata?

Një nga mënyrat që përdorin mësuesit e shkollave profesionale partnere me projektin ‘’Aftësi për Punë’’ është vlerësimi i nxënësve për metodologjitë e mësimdhënies të përdorura nga mësuesi. Ata besojnë se marrja e feedback-ut duhet të jetë një proces i ndërsjelltë, nga mësuesi te nxënësi dhe anasjelltas.  Nëse nxënësit japin mendimin e tyre rreth metodave dhe infrastrukturës që mësuesi përdor gjatë orës së mësimit, përfitimet janë të dyanëshme, duke bërë që mësuesi të përmirësohet profesionalisht dhe nxënësi të përfitojë menjëherë nga ndryshimet e sugjeruara.

Mësues Jetmir Shtjefni, mësues në drejtimin TIK në shkollën Kolin Gjoka, Lezhë,  është një ndër mësuesit që zhvilloi provimin e nivelit nëpërmjet platformës MësoVET.al. Duke qenë se ky është një format testimi i ri për nxënësit, mësues Jetmiri e ndjeu të nevojshme marrjen e feedback-ut të nxënësve të tij për të vlerësuar dhe përmirësuar atë si proces. Në fund të testimit, mësues Jetmiri u ndau nxënësve një format vleresimi të hartuar në platfromën MësoVET.al për të parë se si ata ishin ndjerë gjatë testimit, për të identifikuar vështirësitë dhe për të mbledhur sugjerime për ta përmirësuar atë.

“Sa më shumë informacion të mblidhni ju si mësues në lidhje me metodologjitë e mësimdhënies që përdorni, formatet e testimeve dhe vlerësimet, aq më shumë mund të bëni ndryshime të informuara që do të jenë të dobishme si për nxënësit, ashtu edhe për zhvillimin e tuaj profesional.’’

Jetmir Shtjefni

Edhe mësues Julian Kasapi, mësues në drejtimin TIK në shkollën “Salih Çeka”, ka përdorur të njëjtën teknikë pas përfundimit të testimit elektronik, një praktikë të cilën ai e ndjek që prej fillimeve të tij si mësues. Këtë radhë, mësues Juliani vendosi ta përdorte atë edhe në testimet e nivelit për klasën e 11-të, drejtimi TIK.

‘’Duke qenë se ishte hera e parë që realizonim testimet e nivelit në platformën MësoVET.al, doja të dija mendimin e nxënësve pas përfundimit të procesit. Në këtë mënyrë, ne do ta përmirësojmë këtë formë testimi për vitet e ardhshme. Rezultatet nga formati i vlerësimit ishin shumë të kënaqshme.’’

Julian Kasapi

Nëpërmjet marrjes së feedback-ut të vazhdueshëm nga nxënësit mësuesit janë përmirësuar çdo vit e më shumë si profesionalisht ashtu edhe personalisht. Ky proces ka ndikuar edhe tek nxënësit për t’u stimuluar atyre mendimin kritik, rritjen e kërkesës së llogarisë ndaj mënyrave të mësimdhënies dhe krijimin e një marrëdhënieje besimi midis tyre dhe mësuesve.