Sjellim biznesin në shkolla për ta përshtatur sa më mirë ofertën e AFP-së me tregun e punës

Sjellim biznesin në shkolla për ta përshtatur sa më mirë ofertën e AFP-së me tregun e punës

Për të siguruar lidhjen midis programeve të AFP-së dhe tregut të punës, është e domosdoshme që ofruesit e AFP-së të rishikojnë dhe të përshtasin ofertën e tyre në mënyrë periodike. Për këtë arsye, në shkurt të vitit 2019, shkolla ‘Hamdi Bushati’ në Shkodër organizoi një sërë takimesh me përfaqësues nga sektori privat, për të diskutuar rreth nevojave të tyre për aftësi dhe për zgjidhjet konkrete që mund të ofrohen nga shkolla profesionale për t’i përmbushur ato.

Një studim paraprak, i realizuar me pjesëmarrjen e ish-nxënësve, nxënësve aktualë dhe bizneseve identifikuan profilet stilim mode (fashion design) dhe përpunim lëkure si dy profile me potencial për zhvillim brenda sektorit të tekstilit. Përveç sektorit privat, në takim ishin të ftuar edhe specialistë të zhvillimit të kurrikulave, përfaqësues të AKAFPK-së dhe të Zyrave të Punës për të vleftësuar rezultatet e këtij studimi.

Ideja e një profili të ri për përpunimin e lëkurës u prit mirë dhe u miratua nga përfaqësuesit e sektorit privat, të cilët menjëherë filluan të mendonin se si mund t’i akomodojnë në praktikë profesionale afatgjatë nxënësit që do të regjistrohen në këtë profil. Sa i përket profilit stilim mode, përfaqësuesit e bizneseve nuk e vlerësuan si të përshtatshëm për tregun, pasi, për momentin, modelimi nuk është një shërbim i ofruar nga kompanitë e tyre.

Përfaqësuesit nga sektori privat që janë pjesë e Bordit të Shkollës kanë luajtur një rol të madh në organizimin e këtyre takimeve dhe mobilizimin e kompanive private për të artikuluar nevojat e tyre për aftësi. Takimet janë të nevojshme për të arritur në një emërues të përbashkët sa i takon dimensioneve të mundshme të bashkëpunimit midis shkollave dhe bizneseve, duke theksuar edhe arsyen përse duhet të përfshihet industria dhe mënyrën se si shkollat mund të bëhen të dobishme për kompanitë.

Meqenëse të gjithë ofruesit e AFP-së, partnerë të S4J janë aktualisht të përfshirë në procesin e rishikimit të ofertës së tyre për vitin e ri shkollor, takime të ngjashme me bizneset po organizohen gjatë këtyre muajve edhe në rajonet e tjera.

Nëse jeni të interesuar të mësoni më shumë, në këtë dokument do të gjeni një pasqyrë të profileve aktualisht aktive tek ofruesit e AFP-së, partnerë të S4J gjatë vitit aktual akademik, si dhe profilet e planifikuara për t’u aktivizuar në vitin akademik 2019-2020. Ne do t’ju mbajmë të informuar në lidhje me të rejat!