
Studimi Kombëtar i Gjurmimit 2023: Treguesi i integrimit të të diplomuarve të AFP-së në tregun e punës
Më 3 dhjetor 2024, projekti “Aftësi për Punë” (S4J) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi (AKPA), organizuan një panel diskutimi për të paraqitur gjetjet kryesore të studimit kombëtar të gjurmimit të të diplomuarve të arsimit dhe formimit profesional për vitin 2023. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Shkollës Dimërore 2024. Raporti i gjurmimit ofron njohuri të vlefshme mbi treguesit kryesorë të tregut të punës, rrugëtimin profesional të të diplomuarve, integrimin e tyre në tregun e punës dhe faktorë të tjerë që pasqyrojnë përputhshmërinë e sistemit shqiptar të arsimit dhe formimit profesional me nevojat e tregut të punës.
Që prej vitit 2021, projekti S4J ka mbështetur AKPA-n në kryerjen e studimeve kombëtare të gjurmimit të të diplomuarve dhe të certifikuarve nga sistemi i AFP-së. Paralelisht, që nga viti 2017 S4J vazhdon të mbështesë kryerjen e studimeve të gjurmimit në nivel ofruesi në shkollat partnere. Të dhënat e mbledhura përmes këtyre studimeve janë gurë themeli për vlerësimin e rëndësisë së ofertës së AFP-së dhe për zhvillimin e aftësive që i përgjigjen kërkesave të tregut të punës.

