Të mësuarit gjatë gjithë jetës
Duket sikur dita-ditës njohuritë e marra gjatë jetës plotësojnë pazëllin e pafund të njohurive që një individ posedon, duke formuar personalisht dhe profesionalisht një individ, një punonjës, koleg apo drejtues të aftë për tregun e punës dhe jo vetëm.
Mendoni sikur të mësuarit të jetë një proces rutinë në jetën tonë, sa të pasur do të ishin njerëzit me njohuri. Shumica e njerëzve sapo dëgjojnë fjalën “mësim” gjëja e parë që ju vjen ndërmend është shkolla. Një pjesë e mirë mendojnë se për të patur një vend pune dhe një jetesë të mirë mjaftojnë vetëm disa vite shkollë dhe mësimeve u erdhi fundi. Por jo! Në epokën e digjitalizimit, ku çdo ditë shohim risi në jetën tonë, të mësuarit rutinë është një proces më shumë se i domosdoshëm. Dhe në fakt kjo është dhe ajo çfarë synon “të mësuarit gjatë gjithë jetës”.
Pak rëndësi ka se ku fokusohemi, tek interesat dhe pasionet personale apo tek ambiciet profesionale, të mësuarit gjatë gjithë jetës ndihmon në plotësimin e imazhit që secili nga ne do të dëshironte për veten. Në fakt, kjo është dhe fryma që dhe brezat e rinj duhet të rriten. Të gjithë profesionistët duhet të kuptojnë se të mësuarit gjatë gjithë jetës është kthyer në nevojë, për të ndjekur trendet e kohës, për të qenë të përditësuar dhe për të pasur mundësi më të mira për të ardhmen e gjithësecilit.
Tashmë mësimi nuk duhet të trajtohet më si një aktivitet i detyruar vetëm në shkollë, por si një proces, pjesë e jetës , ku çdo individ si qenie humane me kuriozitetin e madh që e karakterizon dhe me ambicien për të arritur më të mirën, duhet të marrë sa më shumë nga bota e informacionit dhe aftësive, dhe t’i përdorë ato për interesat e tij.
“Të përdorësh njohuritë dhe aftësitë e tua është fuqia jote!”