
Të nxënit DUAL kërkon dy palë: seminari i EAFA-s në Tiranë thekson rëndësinë e bashkëpunimit të fortë midis shkollave dhe bizneseve
Në korrik të vitit 2013, Partnerët Socialë Europianë, Komisioni Europian dhe Presidenca e Këshillit të Bashkimit Europian (BE) lançuan Aleancën Europiane të Praktikave Profesionale (EAfA). EAfA është një platformë unike që bashkon qeveritë me aktorët e tjerë kyç, si për shembull shoqatat e biznesit, kompanitë individuale, partnerët socialë, dhomat, ofruesit e arsimit dhe formimit profesional (AFP), rajonet, përfaqësuesit e të rinjve ose grupet e ekspertëve. Qëllimi i përbashkët është forcimi i cilësisë, i ofertës, imazhit dhe lëvizshmërisë së praktikave profesionale në Europë.
Të pesë vendet kandidate të BE-së, duke përfshirë Shqipërinë, janë bërë pjesë e kësaj Aleance. Swisscontact-i u bë anëtar i EAfA-s në muajin maj 2017 me nënshkrimin e një zotimi në Maltë për të promovuar praktikat profesionale në Shqipëri.
Më 24 shtator, ‘Aftësi për Punë’ (S4J) mori pjesë në seminarin e organizuar në Tiranë nga EAfA, në bashkëpunim të ngushtë me Fondacionin Europian të Trajnimit (ETF). Seminari synon të mundësojë të nxënit dhe rrjetëzimin midis Vendeve Kandidate dhe anëtarëve të EAfA-s. Fokusi tematik i seminarit ishte tek roli i personave ndërlidhës midis shkollave dhe biznesit në procesin e të nxënit nëpërmjet punës si edhe tek financimi i të nxënit nëpërmjet punës.
Frymëzuar nga EAfA, në nëntor të vitit 2017, ‘Aftësi për Punë’ mbështeti kompanitë e sektorit privat për të themeluar Aleancën Shqiptare për Praktikat Profesionale Afatgjata (AAfA). Julian Demeti, menaxher i Albanian Business Partner (ABP) bëri një prezantim të shkurtër të kësaj Aleance gjatë seminarit.
Dy ishin kompanitë shqiptare të cilat u bënë pjesë e Aleancës Europiane për Praktikat Profesionale (EAfA). Albanian Business Partner, kompania që mbështet shkollat profesionale në Lezhë dhe Vlorë me praktikën profesionale në distancë për nxënësit e TIK-ut, nënshkroi një zotim për Aleancën Europiane të Praktikave Profesionale gjatë këtij aktiviteti, së bashku me Restorantin ‘Rapsodia’, një anëtar tjetër i rrjetit të shkollave të AFP me biznese partnere.