Trajnim i akredituar ‘Hartimi i materialeve mësimore’
Trajnim nga Dr. Gerda Sula.
Të jesh mësues do të thotë të kesh nevojë të rritesh në aspektin personal dhe profesional çdo ditë. Ky proces realizohet në mënyra të ndryshme dhe nënkupton zhvillimin e mësuesit me njohuri, aftësi dhe strategji të reja në fushën e mësimdhënies. Duke marrë parasysh këto nevoja, projekti ‘’Aftësi për punë’’ ofron në mënyrë periodike trajnime të akredituara për shkollat partnere të arsimit profesional. Gjatë periudhës Prill – Maj 2021 rreth 60 mësues kanë marrë pjesë aktive në sesionet e trajnimit ‘’Hartimi i materialeve mësimore’’ nga ekspertja Gerda Sula.
Qëllimi i këtij trajnimi është të aftësojë mësuesit të hartojnë materiale mësimore duke përdorur TIK. Mësuesi aftësohet të hartojnë materiale vizuale si prezantime, skema, harta të koncepteve; materiale të shkruara si tekste, fletë pune, projekte, detyra dhe instrumente vlerësimi si teste, listë-kontrolli etj.
Për realizimin e këtij trajnimi, mësuesit duhet të plotësojnë edhe disa detyrime në mënyrë që njohuritë e ofruara të vihen dhe në praktikë. Trajnimi përfshin studimin individual të materialve në kursin ‘’Me kostum dhe me pizhame – Mësimdhenia efektive në distancë’’, i cili ndodhet në platformën MësoVET.al. Kursi është interaktiv dhe i pasur me quize të cilat e bëjnë më tërheqës studimin. Më pas mësuesit marrin pjesë në sesionet e trajnimit të cilat drejtohen nga ekspertja Gerda Sula, ku kanë mundësi të njihen me informacion të ri, të shkëmbejnë ide e të punojnë në grupe. Së fundi, mësuesit dorëzojnë edhe një detyrë në të cilën praktikojnë njohuritë që kanë marrë gjatë trajnimit dhe ku u kërkohet të planifikojnë një orë mësimore dhe të përshkruajnë materialet didaktike për realizimin me sukses të saj.