
Transformimi digjital: S4J mbështet rritjen e kompetencave digjitale të drejtuesve, koordinatorëve, mësuesve dhe nxënësve
Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) sjell ekspertizë zvicerane në ngritjen e kapaciteteve të stafeve drejtueseve të shkollave profesionale të vendit
Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, në prill zhvilluam trajnimin “Roli i Lidershipit në Transformimin Digjital në Arsimin dhe Formimin Profesional” me pjesëmarrjen e stafeve drejtuese nga shkolla profesionale të vendit. Trajnimi u udhëhoq nga Prof. Emanuel Wüthrich nga Universiteti Federal Zviceran për Arsimin dhe Trajnimin Profesional (SFUVET) me fokus rolin e drejtuesve në ndërtimin e një kulture pozitive e të qëndrueshme për digjitalizimin në shkollë – një parakusht kyç për t’iu përgjigjur mënyrës se si Gjenerata Z mëson dhe angazhohet përmes teknologjive arsimore.
Në fokus ishin temat si: pedagogjia simetrike, lidershipi emocional, kultura e të nxënit në shkollë dhe veçoritë e Gjeneratës Z. Diskutimet e hapura dhe puna në grup sollën reflektime të rëndësishme mbi nevojën për ndryshim të mendësisë si bazë për transformimin digjital.


Trajnime praktike me mësues për përdorimin e Canva, Articulate Rise dhe Kahoot
Në muajin mars u realizua raundi i dytë i trajnimeve për tre mjete digjitale: Canva, Articulate Rise dhe Kahoot. Mësuesit nga shkollat profesionale të Shkodrës, Lezhës dhe Elbasanit prezantuan krijimet e tyre, morën këshillime nga ekspertët dhe eksploruan funksione të avancuara si mikro-mësimi dhe krijimi i quiz-eve me inteligjencë artificiale. Pjesëmarrësit treguan rritje të konsiderueshme në kompetencat digjitale dhe motivim për t’i aplikuar në klasë.
Përvoja të ndara dhe njohuri të reja: Trajnimi për mësimin hibrid rrit motivimin e mësuesve
Një trajnim interaktiv dhe gjithëpërfshirës mbi mësimin hibrid në muajin mars mblodhi së bashku mësues të programeve pas të mesmes të Shkollës Teknike Ekonomike Tiranë për të reflektuar dhe ndarë praktika të modernizimit të procesit mësimor në këtë nivel të arsimit profesional.
Gjatë punës në grupe u adresuan tema të rëndësishme, si: infrastruktura dhe metodat e mësimdhënies (mësimi i përmbysur, me projekte apo raste studimi), ku mësuesit dhanë edhe sugjerimet e tyre lidhur me aspekte praktike.

Arkivat elektronike: Praktika pozitive të dokumentimit bashkëkohor në AFP
Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, shkollat partnere të S4J ndërmorën një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të proceseve administrative përmes krijimit apo zhvillimit të mëtejshëm të arkivave elektronike në MësoVET. 54 mësues dhe drejtues nga stafet menaxhuese të shkollave profesionale morën pjesë në trajnime të ndjekura nga seanca mentorimi praktike në çdo shkollë.
Fokusi kryesor i programit ishte:
- Krijimi dhe organizimi i hapësirave digjitale të dokumentacionit
- Klasifikimi i dosjeve sipas tematikave (planet, procesverbalet, të dhënat e nxënësve)
- Udhëzime teknike për sigurinë e të dhënave dhe qasjen efikase në platformë
Si rezultat, të gjashtë shkollat krijuan dhe strukturuan me tej arkivat e tyre digjitale – një hap konkret drejt një administrimi më transparent, efikas dhe bashkëkohor.
Më shumë aftësi për më shumë ndikim: Koordinatorët e Digjitalizimit aftësohen për administrimin e MësoVET
Në kuadër të fuqizimit të rolit të tyre si mbështetje teknike dhe pedagogjike në shkolla, në muajin dhjetor Koordinatorët e Digjitalizimit në 6 shkolla partenere të S4J morën pjesë në një trajnim intensiv për administrimin e platformës MësoVET.
Ky trajnim online, i zhvilluar nga ekspertët e “Wide Services”, u fokusua në ndërtimin e aftësive konkrete që ndihmojnë ata të:
- krijojnë kurse digjitale me module të strukturuara,
- vendosin aktivitete të avancuara si workshop-e dhe debate të moderuara,
- ndërtojnë mësime të personalizuara dhe skenarë interaktivë mësimorë,
- krijojnë databaza për dokumentacion dhe menaxhojnë regjistrimin e përdoruesve.
Koordinatorët e Digjitalizimit do të shërbejnë si mentorë të specialistëve të rinj të TIK që priten të emërohen në shkollat profesionale.
Nxënësit mësojnë për të ardhmen: Webinari mbi mësimin gjatë gjithë jetës
Në muajin dhjetor, rreth 30 nxënës nga gjashtë shkolla partnere morën pjesë në webinarin “Si ndihmon mësimi online në zhvillimin e qëndrueshëm profesional”, një aktivitet që hodhi dritë mbi rolin kyç të mësimit gjatë gjithë jetës dhe zhvillimit të aftësive digjitale për tregun e punës.
Moderatorët prezantuan mundësitë që ofron platforma MësoVET për të mësuar në mënyrë të pavarur dhe interaktive. Nxënësit ndanë përvojat e tyre me mjetet digjitale përmes një ushtrimi të lehtë me Padlet, që krijoi një atmosferë bashkëpunuese dhe frymëzuese. Në fund, një lojë interaktive me Kahoot i ndihmoi nxënësit të konsolidojnë njohuritë e reja në një mënyrë argëtuese.
“Më bëri të mendoj ndryshe për mësimin online – jo vetëm për shkollën, por për jetën!”, – tha një pjesëmarrës.
