Udhëzuesi për Orientimin në Karrierë
Orientimi për karrierën trajton disa probleme që lidhen jo vetëm me nxënësin por edhe me familjen e tij, si edhe mjedisin social ku ai vepron.
- Së pari, përmes orientimit për karrierën mund të tejkalohen tensionet në familje që lidhen me përfundimin e klasës së 9-të dhe zgjedhjen e shkollimit të mëtejshëm: arsim profesional apo i përgjithshëm, drejtimet, profilet etj.
- Së dyti, orientimi shërben për të kapërcyer problemin e informacionit të pakët apo të papërshtatshëm për nxënësit lidhur me mundësitë për arsim dhe tregun e punës.
- Së treti, orientimi për karrierën gjithashtu lehtëson problemin e mungesës së ndërgjegjësimit për profesionet, veçoritë e tyre, shtigjet e karrierës dhe nivelin e pagave në tregun e punës.
- Së katërti, shpesh aftësitë për të kërkuar në tregun e punës dhe për t’u profilizuar janë të kufizuara, ndaj orientimi vjen në ndihmë për të kapërcyer këtë mangësi.
- Së fundi, përmes orientimit në karrierë lehtësohet edhe çështja e mungesës së vendimmarrjes për të ardhmen në rast të braktisjes së shkollës.
“Aftësi për Punë” ka hartuar një udhëzues për të ofruar udhëzime të qarta, të thjeshta dhe të aplikueshme për institucionet e AFP-së për sa i përket ofrimit të shërbimeve për orientimin dhe këshillimin për karrierën për nxënësit dhe kursantët. Udhëzuesi bazohet në kuadrin përkatës rregullues, në përvojën e projektit “Aftësi për Punë” si edhe në modelet më të mira në nivel europian dhe më gjerë.
Ky udhëzues është për ofruesit e AFP-së, publikë apo privatë, në mënyrë parësore për shkollat e mesme profesionale. Në mënyrë specifike, ai i shërben Koordinatorit për Orientimin në Karrierë pranë Njësisë së Zhvillimit.