Vlerësimi i shokëve si një metodë e të nxënit aktiv

Vlerësimi i shokëve si një metodë e të nxënit aktiv

Padyshim që nga nxënësit e shekullit të XXI pritet të ndjekin zhvillimet e ndodhura me hapa të shpejtë dhe të kenë njohuritë e nevojshme të përgjithshme, si dhe në fushën e teknologjisë. Ndër aftësitë e nevojshme për t’u integruar me sukses në tregun e punës renditen mendimi kritik, zgjidhja e një problemi, bashkëpunimi, lidershipi, sipërmarrja, komunikimi, imagjinata, analiza. Zhvillimi i këtyre aftësive ecën paralelisht me implementimin e metodave të reja në mësimdhënie me në qendër nxënësin.

Shkolla bashkëkohore niset nga përvoja e nxënësit, duke i stimuluar ata për pjesëmarrje aktive. Qëllimi kryesor i arsimimit qëndron në formimin e nxënësve krijues e jo vetëm përsëritës të njohurive dhe informacionit të dhënë. Përkundrazi, ata kërkohet të jenë analizues, kritikues dhe vleresues. Në kuadër të metodave aktive, roli i mësuesit është ai i inspiruesit dhe krijuesit të situatave nëpërmjet të cilave nxënësi ballafaqohet me problemet dhe shndërrohet në mendimtar spontan dhe individual.

 Vlerësimi i shokëve në formën e një loje

Për të arritur arsyetimin e qëndrueshëm dhe kritik, Nevin Duro, mësuese në Shkollën Teknike Ekonomike Tiranë, përfshin nxënësit në mënyrë aktive në procesin e të nxënit në formën e vlerësimit të njëri-tjetrit. Nëpërmjet kësaj nisme, mësuese Nevini synon përfshirjen e nxënësit në procesin e vlerësimit, duke e bërë atë më të ndërgjegjshëm ndaj vlerësimit që bën mësuesi, dhe në të njëjtën kohë përvetësimin e materialit mësimor.

Kjo nismë realizohet në formën e një loje, e quajtur ‘Mësues për një ditë’. Për të realizuar një orë mësimi ndryshe nga të tjerat, për ta bërë sa më tërheqëse dhe për të nxitur një vetmenaxhim të orës së mësimit nga nxënësit, mësuese Nevini mendoi të implementoj këtë teknikë.

Të gjithë nxënësit kanë në dipozicion tre kartonë në ngjyrë të kuqe, të verdhë dhe jeshil. Mësimi zhvillohet normalisht. Gjatë orës mësimore pyeten nxënësit që janë planifikuar për t’u pyetur. Pyetjet drejtohen nga mësuesja dhe nxënësit e tjerë. Përgjigja vlerësohet fillimisht nga nxënësit duke ngritur kartonin me ngjyrën që sipas gjykimit të tij është e duhura. Çdo ngjyrë do të argumentohet. Në këtë mënyrë  vlerësohet për njohuritë edhe vet “vlerësuesi”.

“Ndonjëherë më dukeshin më “të rreptë” në vlerësim se unë vetë. Në një farë mënyre kjo nismë i bëri të ndergjegjshëm në vlerësimin e vetes dhe të tjerëve gjatë një ore mësimore.”

Pjesëmarrja e nxënësve në vlerësim krijon situata të këndshme dhe diskutime midis tyre, duke u perpjekur secili të mbroj mendimin e tij. Ora mësimore nuk ndjehet nga ana e të dyja palëve dhe në fund të saj vërehet reagimi  pozitiv i nxënësve. Mëseuse Nevini u shpreh se nga ana e nxënësve kishte mosbesim në fillim, e cila u kalua menjëherë pas eksperiencës së parë.

Pse rekomandohet vlerësimi i shokëve?

Përmes përfshirjes aktive, nënkuptohet që nxënësit duhet të bëhen të ndërgjegjshëm për të vlerësuarit dhe dhënies së një feedback-u, duke përdorur gjykimin e tyre. Gjatë mësimdhënies së tillë tentohet që nxënësit  të jenë në qendër dhe të mendojnë në mënyrë kritike – një reflektim i arsyetuar. Duke i bërë ata pjesë të vlerësimit, pavarësisht se vlerësimi përfundimtar u bë nga ana e mësuesve, iu jep nxënësve mundësinë të kuptojnë rëndësinë e vlerësimit si proces, mënyrën e realizimit dhe instrumentet që përdoren, për t’i patur ata parasysh në vetvlerësim. Gjithashtu kjo teknikë zhvillon të nxënit nëpërmjet ndarjes së informacionit dhe mendimeve të nxënësve dhe mundëson kuptueshmërinë dhe përthithjen më të mirë të materialit mësimor.