Webinar ‘’Qasja kapilare e digjitalizimit në shkollë nëpërmjet Personit Kyç të Digjitalizimit’’
Digjitalizimi në arsimin profesional nuk është më vetëm një ambicje personale e shkollave partnere të projektit ‘Aftësi për Punë’ (S4J). Një ndër shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030 është ‘Transformimi digjital i shërbimeve të punësimit dhe i sistemit të AFP-së’. Për të mbështetur rrugën drejt digjitalizimit, në fillim e vitit akademik 2022-2023, në këto shkolla u prezantua një rol i ri – ai i Personit Kyç të Digjitalizimit. Ky rol ka për qëllim të krijojë të gjitha kushtet dhe ndërlidhjet e nevojshme tek aktorët e përfshirë në procesin e digjitalizimit, në mënyrë që përdorimi i teknologjisë në edukim të përqafohet nga të gjithë.
Natyrisht, të vendosësh teknologjinë në strategjinë bazë të mësimdhënies në institucionin arsimor nuk është e thjeshtë dhe as nuk ndodh brenda ditës. Brendësimi dhe aplikimi i strukturuar e i vazhdueshëm i tij kërkon kohë, rritje kapacitetesh dhe ndryshim të mendësisë, por në veçanti, kërkon edhe shkëmbim efektiv mes aktorëve të përfshirë, në mënyrë që nisma të jetë e qëndrueshme në kohë. Për këtë arsye, më 21 shkurt 2023 u mbajt webinari me temë ‘’Qasja kapilare e digjitalizimit në shkollë nëpërmjet Personit Kyç të Digjitalizimit’’, ku personat që kanë këtë pozicion në shkollat partnere të S4J ndanë eksperiencën e tyre, përfitimet, vështirësitë dhe mësimet e nxjerra. Disa nga elementët që mund të veçohen nga kjo ndarje eksperiencash janë: i) rëndësia e frymës së përbashkët dhe kompetencave digjitale të mësimdhënësve për të çuar përpara këtë nismë, ii) vështirësitë në aspektet teknike të menaxhimit institucional dhe klasave virtuale në platformën MësoVET, si dhe iii) format interesante të motivimit të të gjithë aktorëve të përfshirë në digjitalizimit e procesit mësimor në veçanti dhe institucionit arsimor në përgjithësi.
Për të ndjekur rregjistrimin e takimit ndiqni linkun:
Webinar (DFP): Qasja kapilare e digjitalizimit te shkolles nepermjet Personit Kyc te Digjitalizimit – YouTube