
Webinari: “Ndarje përvojash: Një hap drejt të nxënit gjatë gjithë jetës”
Bota rreth nesh ndryshon me shpejtësi. Në të njëjtën mënyrë duhet të zhvillohet dhe arsimi e të rrugëtojë së bashku me risinë. Mësuesit, në veçanti, duhet të pajisen me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të përmbushur kërkesat e arsimit në ditët e sotme. Me fjalë të tjera, ata duhet të jenë të gatshëm të mësojnë gjatë gjithë jetës, pasi të mësuarit është një aspekt themelor i zhvillimit profesional, që i ndihmon ata të qëndrojnë të përditësuar me trendet dhe teknikat më të fundit të mësimdhënies. Megjithatë, gjetja e kohës dhe burimeve për të ndjekur zhvillimin dhe rritjen profesionale mund të jetë sfiduese. Prandaj vitet e fundit i është vënë theksi të nxënit në mënyrë të pavarur duke shfrytëzuar mundësitë që teknologjia na ofron.
Për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me rëndësinë e nxënit gjatë gjithë jetës dhe të nxënit të mënyrë të pavarur, projekti ‘Aftësi për punë’ organizoi më 8 shkurt 2023 webinarin “Ndarje përvojash: Një hap drejt të nxënit gjatë gjithë jetës” për mësuesit e arsimit profesional në Shqipëri. Nëpërmjet përvojave profesionale dhe personale të mësuesve, mësuesit Rudina Gjoka nga shkolla “Kolin Gjoka”, Florie Bega nga shkolla “Teknike Ekonomike”, Fatmira Skuqja nga shkolla “Hamdi Bushati” dhe Dritan Nito nga shkolla “Petro Sota”, synonuan të nxisnin kolegët e tyre të angazhoheshin më shumë në zhvillimin profesional dhe të nxënit gjatë gjithë jetës si dhe të kuptonin prej tyre strategji dhe mjete praktike për të ndjekur mundësi të ndryshme për përmirësimin e tyre.
Mësuesit patën mundësinë të dëgjonin mbi temën edhe ekspertë gjatë këtij eventi. Të ftuar ishin Prof. As. Robert Gjedia, Dr. Edlira Kola, dhe Albina Bardhi të cilët vunë në dukje rolin e teknologjisë në këtë proces si dhe përfitimet që mësimdhënësit kanë në planin afatgjatë nga zhvillimi profesional pasi pajisen me aftësi dhe njohuri të nevojshme për të rritur cilësinë e mësimdhënies për nxënësit e tyre.
Për të ndjekur rregjistrimin e aktivitetit klikoni mbi linkun:
Webinar: “Ndarje përvojash: Një hap drejt të nxënit gjatë gjithë jetës” – YouTube