Rritje e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Zvicrës me në fokus digjitalizimin në AFP
Gjatë muajit tetor, disa shkolla profesionale pritën përfaqësues nga shkolla e mirënjohur profesionale “St. Gallen” në Zvicër, me qëllim njohjen e tyre me sistemin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri dhe krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit mes shkollave të dy vendeve.
Përfaqësuesit e shkollës zvicerane vizituan shkollat profesionale “Gjergj Canco”, “Kolin Gjoka” dhe “Shkolla Profesionale Elbasan”, ku u njohën me mësuesit, nxënësit dhe stafin e shkollave, shkëmbyen kontakte dhe diskutuan mbi mundësi bashkëpunimi përmes projekteve ndërkombëtare që kjo shkollë zbaton në kuadër të arsimit dhe formimit profesional.
Shkolla profesionale “St. Gallen”, me të cilën projekti “Aftësi për Punë” ka një bashkëpunim disa-vjeçar, është e njohur për angazhimin e saj në projekte që lidhen me inovacionin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit dhe formimit profesional dhe për hapjen e rrugëve të reja të bashkëpunimit mes ofruesve, nxënësve dhe mësuesve për zhvillimin e sektorit të AFP nëpër botë. “Ne besojmë tek moto: Të rritesh përmes shkëmbimeve, prandaj jemi këtu”, theksoi Daniel Kehl, drejtori i shkollës “St. Gallen”.
Shkolla zvicerane ka bashkëpunim me shkollën “Gjergj Canco” që nga viti 2019 përmes projektit “Innovet – Qendra Zvicerane e Ekselencës Profesionale” – projekt i mbështetur nga Agjencia Zvicerane e Shkëmbimit dhe Mobilitetit (Movetia). Përmes këtij projekti, shkolla “Gjergj Canco” është pjesë e një rrjeti partnerësh ndërkombëtarë nga 8 vende Evropiane që bashkëpunojnë e shkëmbejnë përvoja për hartimin e vlerësimin e strategjive të inovacionit në kuadrin e digjitalizimit, ndërkombëtarizimit e cilësisë.
Ndër vizitat e përfaqësuesve nga shkolla “St. Gallen” veçojmë aktivitetin e organizuar në shkollën profesionale “Kolin Gjoka” me fokus teknologjitë mësimore dhe projektet inovative të nxënësve të shkollave profesionale.
Pjesëmarrës në aktivitet ishte Ambasadorja Zvicerane, Znj. Ruth Huber, përfaqësues nga shkolla profesionale “St. Gallen” në Zvicër dhe përfaqësues nga Banka Gjermane për Zhvillim (KfW).
Gjatë aktivitetit, mësues nga shkolla “Kolin Gjoka” prezantuan zgjidhje teknologjike inovative që mundësojnë përvoja mësimore interaktive për nxënësit, ndër të cilat edhe përdorimin e platformës “MësoVET”.
Nxënësit e shkollave profesionale “Kolin Gjoka”, “Gjergj Canco”, “Hermann Gmenier” , “Peter Mahringer” dhe “Shkolla Profesionale Kamëz” prezantuan projektet e tyre inovatore, si: Regjistri Elektronik, Bibloteka Digjitale, Realiteti Virtual në Mësim dhe Këndi Sportiv në 3D.
Gjatë aktivitetit, u zhvillua edhe një lidhje live me nxënës dhe mësues të shkollës “St. Gallen”, si një pikënisje për mundësi të mëtejshme shkëmbimi mes shkollave profesionale të dy vendeve.