
Shqipëria zbaton arsimin dual: Nxënësit mësojnë profesionin në vendin e punës
Mbi 200 nxënës të arsimit profesional në Shqipëri po ndjekin me sukses rrugëtimin e tyre në një formë të re të të nxënit – arsimin profesional në formë të dyfishtë (sistemi dual), ku teoria në shkollë ndërthuret me mësimin e profesionit në kompani. Ky është viti i parë i zbatimit të këtij modeli në Shqipëri dhe është një ndër zhvillimet më premtuese për të ardhmen e të rinjve dhe për nevojat e tregut të punës. Nisma po mbështet teknikisht nga projekti “Aftësi për Punë” (S4J).
Modeli dual i arsimit profesional kombinon përfitimet e formimit teorik me përvojën praktike në vendin e punës në kompani. Nxënësit zhvillojnë në shkollë kulturën e përgjitshme dhe lëndë/ module të teorisë profesionale, ndërsa një pjesë të konsiderueshme të orëve javore – 6 deri në 8 orë në ditë, deri në 30 orë në javë – e kalojnë pranë punëdhësve, sipas një plani të strukturuar të veprimtarive në vendin e punës. Aktualisht, nxënësit janë të angazhuar në profile mësimore si: kuzhinë, recepsion, multimedia, shërbime elektro-auto dhe instalime dhe mirëmbajtje e linjave të tensionit të ulët, të mesëm dhe të lartë.
Ky proces ka qenë sfidues, por gjithashtu një dëshmi e vullnetit dhe përkushtimit të të gjithë aktorëve për ta bërë të mundur. Është punuar për të krijuar një kuptim të përbashkët mbi aspektet ligjore, funksionet dhe përgjegjësitë, si dhe mbi mënyrën e re të bashkëpunimit ndërmjet shkollave dhe kompanive. Gjithashtu, kompanitë partnere janë mbështetur përmes takimeve të rregullta kapacituese, me qëllim që të përshtasin rolin e tyre si ofrues për mësimin e profesionit në vendin e punës. Kjo ka përfshirë njohjen dhe zbatimin e kuadrit të ri ligjor, si dhe angazhimin aktiv në proceset e zbatimit të kontratës për mësimin e profesionit nga nxënësi, nën mbikqyrjen e mentorit.
“Arsimi dual nuk është thjesht një model i ri mësimdhënieje – është një transformim i plotë në mënyrën se si përgatiten të rinjtë për jetën profesionale. Ai rrit ndjeshëm punësueshmërinë, zhvillon aftësitë që kërkon tregu dhe krijon ura të forta bashkëpunimi mes shkollave dhe punëdhënësve”
Fation Dragoshi, Menaxher i projektit “Aftësi për Punë”
Në vitet e ardhshme pritet një zgjerim i qëndrueshëm i modelit dual, me zhvillimin e kurrikulave të reja dhe përfshirjen e më shumë shkollave dhe kompanive, duke e kthyer këtë qasje në një standard të ri për arsimin profesional në Shqipëri.