Smart Home, modul i ri me zgjedhje tek shkolla “Gjergj Canco”

S4J punon ngushtë me kompani që mund ta bëjnë ofertën e AFP-së sa më tërheqëse për nxënësit. Në vitin 2019 bashkëpunuam me kompaninë “Smart Home Europe” për të zhvilluar dhe zbatuar një modul me zgjedhje mbi instalimin e sistemeve “Smart Home” në shkollën teknike “Gjergj Canco” në Tiranë. Këto sisteme lejojnë që të kontrollosh pajisjet shtëpiake në distancë me telefon Smart apo tablet dhe lidhje me internet. Kompania i trajnoi mësuesit e shkollës për ta ofruar këtë modul.

Dihet që programet e arsimit profesional nuk mund ta arrijnë potencialin e tyre të plotë vetëm me mësim teorik. Për këtë arsye, S4J financoi një laborator “Home Systems” për shkollën, i pari i llojit të tij në nivel rajonal. Duke filluar nga viti akademik 2020-2021, nxënësit e shkollës teknike “Gjergj Canco” do të kenë më shumë mundësi për një punësim të mirë duke ndjekur këtë modul me zgjedhje, pasi kërkesa e tregut për instalime të sistemeve “Smart Home” po rritet dita-ditës.

Kjo risi tregoi edhe një herë se sa e rëndësishme është që kurrikulat e shkollave profesionale të përshtaten me kërkesat e tregut. Për këtë arsye, mësuesit e këtij departamenti në shkollën “Gjergj Canco” i rekomanduan Agjencisë për AFP dhe Kualifikimet zëvendësimin e modulit “Instalimi i antenave televizive dhe antenave satelitore” me këtë modul të ri novator, e që ta bëjnë këtë të fundit të detyrueshëm për të gjitha shkollat që ofrojnë këtë drejtim. Është koha për digjitalizim!

Share This Article: