Zhvillimi i aftësive të buta tek brezat e rinj: ‘TalkUP – Trajnimi i komunikimit efektiv tek të rinjtë’

Zhvillimi i aftësive të buta tek brezat e rinj: ‘TalkUP – Trajnimi i komunikimit efektiv tek të rinjtë’

Tregu i punës kërkon që profesionistët e rinj të zotërojnë jo vetëm aftësitë teknike të profesionit të tyre, por edhe ato të buta. Për këtë arsye projekti “Aftësi për Punë” mbështet ndërmarrjen e iniciativave të ndryshme me nxënësit, ku në fokus është zhvillimi i aftësive prezantuese, bashkëpunuese, zgjidhjes së problemeve etj,. Në kuadër të këtyre iniciativave, në bashkëpunim me Qendrën Multifunksionale për Fëmijë ‘Kallz’, u organizua trajnimi “TalkUP – Komunikimi efektiv tek të rinjtë” me nxënësit e klasave të 12-ta dhe 13-ta të Shkollës Teknike Ekonomike Tiranë.

Gjatë muajve prill – maj, 25 nxënës morën pjesë aktivisht dhe u angazhuan përmes lojës. Përgjatë gjashtë seancave, u trajtuan aspekte të ndryshme të komunikimit. Seancat u moderuan nga ekspertja në fushën e komunikimit Albana Muçaj. Trajnimi kishte si qëllim përmirësimin e aftësive komunikuese në të gjithë zinxhirin e komunikimit – komunikimi me veten, me kolegët, drejtorët e sipërmarrësit. Nxënësit u njohën me elementët nxitës dhe pengues në komunikimin cilësor, me avantazhet e komunikimit, si dhe me format më të mira të komunikimit në mjedisin e punës.

Pjesëmarrja në trajnim u realizua duke ndjekur një proces transparent përzgjedhjeje, ku nga 166 aplikime u përzgjodhën vetëm 25. Në formularin e aplikimit ata ishin shprehur se arsyeja që i nxiti të aplikojnë ishte përmirësimi i aftësive të tyre komunikuese, të cilat i konsideronin të domosdoshme për një integrim sa më të lehtë në tregun e punës dhe për krijimin e marrëdhënieve sa më të mira me punëdhënësit, kolegë apo klientë.

Në përfundim të trajnimit, Danja Nanaj, nxënëse në drejtimin Ekonomi-Biznes, u shpreh se:

“Komunikimi është themeli i fushës që studioj, kështu që ngritja e themeleve të fortë nëpërmjet këtij trajnimi ishte një domosdoshmëri për zhvillimin tim personal dhe profesional. Ajo që më tërhoqi ishte përfshirja jonë në lojrat informuese.”

Share This Article: