
“Menaxhim i strukturave akomoduese”, një kualifikim i ri është hartuar me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë”
Zhvillimi i shpejtë i sektorit të mikpritjes dhe turizmit në Shqipëri ka ndikuar në rritjen e kërkesës për fuqi punëtore të kualifikuar, veçanërisht në pozicione menaxheriale dhe teknike. Për të mbështetur këtë trend pozitiv, është konceptuar një program i ri në nivelin pas të mesmes, “Menaxhimi i strukturave akomoduese”, i cili do të ofrohet këtë vit shkollor në formën e arsimit të dyfishtë (arsimi dual) nga Shkolla Tregtare Vlorë dhe shkolla profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër.
Ky program, i mundësuar me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë”, ka për qëllim përgatitjen e profesionistëve të rinj për menaxhimin e strukturave akomoduese, si: hotele, resorte, agroturizëm dhe bujtina, apo sipërmarrësve të sektorit të mikpritjes. Ekspertë nga fusha e biznesit dhe mësimdhënia kanë hartuar skeletkurrikulën për t’u ofruar në formën e arsimit të dyfishtë, një iniciativë e re nga qeveria shqiptare që lidh ngushtësisht arsimin profesional dhe tregun e punës.

Ofrimi i programit në formën e arsimit dual parashikon që nxënësi të lidhë një kontratë pune për mësimin e profesionit me kompani trajnuese për arsimin dual. Të dy shkollat që do ta ofrojnë këtë program kanë lidhur marrëveshje me biznese të konsoliduara të cilët do të presin nxënësit-punëmarrës. Përmes kësaj kontrate, përgjatë kohëzgjatjes së programit nxënësit i krijohet mundësia që të punojë 3 ditë në javë kundrejt një pagese mujore, ndërsa zhvillon paralelisht modulet profesionale teorike/praktike në shkollë 2 ditët e tjera të javës.
Programi “Menaxhimi i strukturave akomoduese” mund të ndiqet nga individë që kanë përfunduar një kualifikim profesional të nivelit të IV në KSHK (i preferueshëm drejtimi Hoteleri – Turizëm) dhe kanë përvojë pune të paktën 1 vit në fushën e mikpritjes. Për personat me aftësi të kufizuara, institucioni ofrues i arsimit dhe formimit profesional krijon kushte dhe përshtat programin në përputhje me paaftësitë që shfaqin. Të dy shkollat, Shkolla Tregtare Vlorë dhe “Hamdi Bushati” në Shkodër vijojnë procesin e regjistrimit për të filluar programin në muajin nëntor.
Gjenovefa Xhakaj, drejtoresha e Shkollës Tregtare Vlorë, shprehet entuziaste për mundësitë që ofron arsimi dual, duke theksuar se:

“Për herë të parë këtë vit shkollor, shkolla jonë do të ofrojë një program pas të mesmes, duke zgjeruar ofertën mësimore me kualifikime të nivelit të 5-të të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në aftësimin dhe punësimin e shpejtë të individëve që do të jenë pjesë e këtij programi.”
Edhe Merita Zeneli, drejtoresha e shkollës profesionale “Hamdi Bushati” në Shkodër, thekson rëndësinë e programit, duke deklaruar se:

“Kompanitë që operojnë në sektorin e mikpritjes në rrethin e Shkodrës kanë shprehur prej vitesh nevojën për punonjës të kualifikuar, sidomos për menaxherë të mesëm. Këtë vit, me hapjen e programit pas të mesmes, shkolla jonë do të konsolidojë më tej marrëdhëniet me bizneset më të mira në rajon për formimin e profesionistëve të kualifikuar.”