Më 25 shtator, përfaqësues nga vendet anëtare dhe vendet kandidate të Aleancës Europiane për Praktikat Profesionale Afatgjata (EAfA) zhvilluan një vizitë në shkollën profesionale ‘Kolin Gjoka’ në Lezhë.
Mysafirët u njohën me modelin e praktikës profesionale të pilotuar në shkollë me mbështetjen e projektit ‘Aftësi për Punë’ (S4J) të financuar nga qeveria zvicerane. Ekipi i shkollës bëri edhe një prezantim të risive të aplikuara gjatë dy viteve të fundit, të cilat fokusohen tek promovimi i të nxënit nëpërmjet punës për të mundësuar kalimin më të lehtë nga shkolla në punë për të diplomuarit.
Përfaqësuesve të vendeve anëtare të EAfA-s u bëri përshtypje puna e përkushtuar e mësuesve të shkollave që bënë të mundur sistemimin si praktikantë në praktika profesionale të 226 nxënësve në 43 biznese partnere (deri në qershor 2018).
Pas shkollës, mysafirët vizituan edhe ‘Hotelin e Gjuetisë’, një biznes partner i shkollës. Ata u ndjenë edhe më të mirëpritur nga praktikantët atje, të cilët së bashku me shefin e njohur shqiptar të ‘slow food’, Alfred Marku kishin përgatitur ushqime të shijshme … dhe deri në fund të vizitës, nuk mbeti as edhe një kupë nga tiramisuja e famshme e Davidit 😉.
Gjatë vizitës, stafi i S4J pati mundësinë që të shkëmbejë me përfaqësuesit e ETF-së dhe EAfA-s për mundësitë e mobilitetit për praktikantët në shkollat e mbështetura nga S4J.
Tani ETF dhe EAfA janë duke u përgatitur për aktivitetin e tyre vjetor, Javën Europiane të Aftësive Profesionale. Nga data 5 deri më 9 nëntor, në shumë vende europiane do të organizohen aktivitete të shumta te fokusuara tek aftësitë profesionale, të nxënit nëpërmjet punës (TNNP) dhe mundësitë e të nxënit gjatë gjithë jetës, duke përfshirë Shqipërinë e promovuar nga projekti ‘Aftësi për Punë’ S4J.
David Paloka dhe Xhoena Vitoja, dy praktikantë nga shkollat e mbështetura nga S4J, u ftuan nga EAfA për t’u bërë pjesë e disa prej aktiviteteve që do të organizohen gjatë Javës Europiane të Aftësive në Austri. Le të shpresojmë që Davidi edhe njëherë do të vjedhë zemrën e mysafirëve me recetën e tij të famshme të tiramisusë 😉.