
Përmirësimi i atmosferës pozitive të shkollës përmes muzikës
A keni dëgjuar ndonjëherë për “Efektin Mozart”? Kjo është kthyer në një shprehje shumë të përdorur që nga momenti kur një studim i vitit 1993 zbuloi se rezultatet e nxënësve të kolegjit në testet e arsyetimit hapësinor-kohor u përmirësuan pas dëgjimit të veprave muzikore të shekullit të 18të të kompozitorit austriak Wolfgang Amadeus Mozart.
Edhe në fund të viteve 1990 personat që kryen studimin për “Efektin Mozart”, Profesor Francis Rauscher dhe Dr. Gordon Shaw, u kthyen në qendër të vëmendjes në mbarë vendin me një studim frymëzues që motivonte njerëzit në shkallë kombëtare për të rikthyer muzikën – veçanërisht muzikën klasike – në jetën dhe edukimin e fëmijëve.
Muzika e luajtur në sfond përdoret gjerësisht në të gjithë shoqërinë, veçanërisht në fushën e marketingut, sportit, psikologjisë dhe mjekësisë. Ajo përdoret për të reduktuar stresin, për të krijuar një iluzion, për të manipuluar perceptimin, për të ndryshuar gjendjen emocionale të njerëzve dhe për të rritur ndjesinë e mirëqenies.
Po sikur të përdorim muzikën në sfond edhe nëpër shkolla? Bazuar tek studimi, ne vendosëm që të bënim një provë. Në fillim të muajit qershor në shkollën ‘Kolin Gjoka’, një institucion partner i ‘Aftësi për Punë’ S4J, u bë instalimi i sistemit ‘Zilja e Zgjuar’. Ky sistem zëvendëson zilen e vjetër monotone që lajmëron pushimet në mes të orëve të mësimit me një shumëllojshmëri të pjesëve të muzikës klasike – përfshirë kryeveprat e Mozartit.
Një program kompjuterik bën të mundur që muzika (klasike për momentin) të fillojë të dëgjohet në korridoret e shkollës në mëngjes para fillimit të orëve të mësimit si edhe gjatë pushimeve. Mësuesit raportojnë se, që nga instalimi i këtij sistemi, është vënë re ndikimi pozitiv që ai ka patur në sjelljen e mësuesve dhe të nxënësve. “Sistemi i ri i ziles ka patur një efekt të mrekullueshëm! Edhe pse mund të ndiheni të stresuar, sapo të hyni në korridor dhe të dëgjoni muzikën, filloni të buzëqeshni. Edhe nxënësit buzëqeshin më shumë kur dëgjojnë muzikë”, – thotë Vera Gjeloshi, zëvendësdrejtore dhe mësuese e matematikës në shkollën ‘Kolin Gjoka’.
Muzika e zgjedhur me kujdes që dëgjohet nëpër korridore krijon një atmosferë më tërheqëse dhe më çlodhëse në mjedisin e shkollës, ka ndikim pozitiv në sjelljen e nxënësve dhe mësuesve, mund të rrisë kreativitetin e tyre dhe të çojë në përmirësimin e rezultateve të të nxënit.
Sistemi ‘Zilja e zgjuar’ do të instalohet edhe në shkollat e tjera profesionale të mbështetura nga ‘Aftësi për Punë’ S4J para fillimit të vitit të ardhshëm akademik.