Tek ‘Aftësi për Punë’, ne punojmë për të siguruar praktika mësimore dhe profesionale cilësore, në përputhje me standardet ndërkombëtare të industrisë. Për këtë arsye, duam të sigurohemi që nxënësit e institucioneve ofruese të AFP partnere të projektit, t’i njohin dhe t’i respektojnë rregullat e sigurisë së jetës dhe shëndetit në vendin e punës.
Në këtë kuadër, në datat 18 deri në 20 qershor 2018, do të organizohet trajnimi mbi ‘Sigurinë dhe shëndetin në punë’. Pjesëmarrës në trajnim do të jenë mësuesit dhe dhe instruktorët e profileve teknike nga shkolla industriale ‘Pavarësia’, shkolla profesionale ‘Gjergj Canco’ dhe Drejtoria Rajonale e Formimit Profesional Publik Vlorë.
Qëllimi i trajnimit është informimi dhe zhvillimi i kapacitetit të pjesëmarrësve për rreziqet që lidhen me vendin e punës, mjetet e sigurisë personale, dhënien e ndihmës së parë, përballjen me situata të mundshme rreziku, si zjarr, shkëndijë elektrike, etj. Mësuesit e instruktorët do të transmetojnë më pas njohuritë e fituara nga trajnimi tek nxënësit e shkollave dhe kursantët e qendrës.
Si punë paraprake, është bërë një vlerësim i ambjenteve të punës tek shkolla industriale ‘Pavarësia’, sipas standardeve evropiane. Trajnimi është i dedikuar për profilet Elektroteknikë, Shërbim Mjetesh Transporti dhe Mekanikë.