
Fillimi i shkollës: Informim dhe atmosferë pozitive për nxënësit e klasave të 10ta
A ju kujtohet dita juaj e parë në shkollën e mesme?
Ditët e para të shkollës së mesme janë një periudhë vendimtare për të përcaktuar vijimësinë e studimeve. Kjo periudhë është veçanërisht e rëndësishme për nxënësit e rinj, të cilët duhet të ndihen të mirëpritur, të sigurtë dhe të integruar në shkollën e re.
Pasi kanë lënë pas mjediset e njohura, shumë nxënës të klasës së dhjetë ndihen të ndrojtur në mjedisin e ri, ose të hutuar nga rregullat e reja, ngarkesa mësimore, mësuesit e rinj ose nxënësit e tjerë. Disa nxënës mund të mos jenë ende të qartë në lidhje me drejtimin profesional të zgjedhur dhe perspektivat e karrierës që iu ofrohen.
Për t’i bërë nxënësit që të ndihen më të qetë dhe për të nxitur krijimin e një fryme të përkatësisë në shkollë, “Aftësi për Punë” (S4J) ka mbështetur shkollat profesionale për organizimin e një mirëseardhjeje të ngrohtë për nxënësit e vitit të parë. Mësuesit e Njësisë së Zhvillimit, mësuesit kujdestarë dhe psikologët e shkollave kanë luajtur një rol të madh për koordinimin e një sërë aktivitetesh gjatë dy javëve të para të shkollës.
Duke synuar sigurimin e një atmosfere integruese për nxënësit e klasës së dhjetë, aktivitetet përfshinë prezantimin e vizionit të shkollave, të programeve, Njësisë së Zhvillimit, psikologëve të shkollave dhe të drejtimeve profesionale (orientimin e karrierës). Nxënësit e klasave më të larta u bënë pjesë e këtyre aktiviteteve duke mbajtur fjalime për jetën shkollore. Mësuesit kujdestarë siguruan frymën e klasës nëpërmjet aktiviteteve ndërvepruese me qëllim ç’tensionimin dhe prezantimin e secilit prej nxënësve.
Dy javët e para të fillimit të shkollës u shoqëruan me aktivitete të shumta. Shkolla ‘Tregtare’ mori pjesë në një panair në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore me pjata tradicionale të përgatitura nga nxënësit në drejtimin e Hoteleri -Turizmit.
Nxënësit e shkollës ‘Hamdi Bushati’ morën pjesë në Muzeun e Stilit: Ethno Vibes, një ngjarje e sofistikuar e modës që kombinon fotografinë dhe etnografinë. Fustani bardh e zi i përgatitur nga nxënësit e drejtimit të Tekstilit, i frymëzuar nga një foto e Marubit, u prit mirë nga stilistët e modës. Ky ishte një rast fantastik për një shkollë publike profesionale për t’u bërë e njohur në rradhët e stilistëve të famshëm shqiptarë të modës.
Gjatë javës së parë të shkollës, fituesit e llotarisë së shpallur në kuadrin e sistemit të gjurmimit u përzgjodhën në mesin e nxënësve që u diplomuan në shkollat partnere të S4J. Momenti i marrjes së dhuratës në shkolla u shfrytëzua edhe për një shkëmbim midis fituesve dhe nxënësve të vitit të parë sa i përket përvojavë të tyre të punësimit.
Shkolla do të vizitohet edhe nga ish nxënës të suksesshëm të shkollës dhe përfaqësues të bizneseve partnere të cilët do të ftohen si folës gjatë javëve të ardhshme për të ndarë përvojën e tyre me nxënësit më të rinj.