Si po e integrojnë mësimin online shkollat partnere të S4J?

Si po e integrojnë mësimin online shkollat partnere të S4J?

Në fillim të vitit shkollor, projekti “Aftësi për Punë” në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) hartoi Udhëzuesin për Organizimin e Mësimit në Arsimin Profesional në Kushtet e Pandemisë COVID-19. Ky udhëzues paraqiste 3 skenarë të ndryshëm për menaxhimin e vitit akademik, duke përfshirë këshilla dhe masa për të kombinuar mësimin në klasë dhe me atë online përmes platformave digjitale dhe mjeteve të komunikimit. Në muajin nëntor, sipas një urdhëri nga Ministria e Shëndetësisë, mësimi do të zhvillohej sipas skenarit të dytë, pra duke kombinuar mësimin në klasë me atë online.

Për shkollën profesionale “Gjergj Canco” në Tiranë, zbatimi i këtij skenari nuk ishte diçka e re. Në fillim të vitit, u krijua një komision ad hoc me mësues, nxënes, prindër dhe Bordin Drejtues për të përzgjedhur skenarin me të përshtatshëm në një formë sa më gjithëpërfshirëse.

Hedie Gjoni
Hedie Gjoni, drejtoreshë e shkollës “Gjergj Canco”

“Fillimisht, realizuam një plan për zhvillimin e mësimit në shkollë, duke marrë parasysh që mësimit ballë për ballë nuk do t’i ikë kurrë vlera. Megjithatë, vumë re se kjo do të ishte shumë e lodhshme për mësuesit, të cilët do duhej të punonin me dy turne”, thotë Hedie Gjoni, drejtoreshë e shkollës.

Kështu, u vendos për realizimin e skenarin të dytë, ku mësimi online të zhvillohej edhe në shkollë. Klasat u ndanë në grupe, ku secili prej tyre zhvillonte me rotacion një javë mësimi në klasë dhe tjetrën online.

“Ky vendim u mor duke marre parasysh që tashmë kishim eksperiencë nga viti i kaluar si dhe falë laptopëve dhe infrastrukturës që na ka mundësuar projekti “Aftësi për Punë”.

Hedie Gjoni

Një tjetër element i rëndësishëm për shkollën është zhvillimi i praktikave profesionale të nxënësve.

Një nxënës i shkollë gjatë praktikës profesionale në një kompani në rajon

“Shkolla jonë është e privilegjuar pasi kemi laboratorë modernë me të gjitha pajisjet e nevojshme, ku nxënësit mund të vazhdojnë praktikën në ambientet e shkollës, përveçse në biznes. Kështu, edhe nxënësit që kanë radhën e javës së mësimit online, 1 ose 2 ditë në javë vijnë në shkollë ose në biznes për të realizuar praktikën.”

Hedie Gjoni
Një nxënëse e shkollës duke përdorur printerin 3D në laboratorin 3D të shkollës

Që nga muaji nëntor, shkolla vendosi që nxënësit maturantë ta zhvillonin mësimin fizikisht, për arsye të ngarkesës dhe të vëmendjes së kërkuar gjatë vitit të fundit të shkollës.

“Mendoj se aktualisht jemi më të përgatitur se vitin e kaluar, pasi mësuesit tashmë e kanë përvetësuar mësimin online. Synimi ynë është që të rritet akoma më shumë përdorimi i platformave online si MësoVET, e cila këtë vit është pasuruar shumë me materiale mësimore. Platforma duhet të përdoret në atë formë që të zëvendësojë mësimin në klasë, jo vetëm në kohë pandemie por edhe në kushte normale,” thotë drejtoreshë Hedia.