
Pyesni ekspertin

Z. Gjedia, a është e këshillueshme shtimi i elementëve të rinj në formatin e planit mësimor sipas skeletkurrikulës për ta bërë atë më efektive?
Në trajnimin me mësues dhe drejtues të shkollave të AFP-së lidhur me planifikimin dhe zbatimin e kurrikulës, u prezantuan dhe u diskutuan formatet e planifikimit të kurrikulës për zbatimin e saj. Ato mbështesin formatet rekomanduese që kurrikula zyrtare kërkon, por një element i ri i futur në këtë format është dhe kolona e planifikimit online të kurrikulës, që sugjerohet për t’u plotësuar në platformën online që përdorin mësuesit dhe instruktorët e AFP-së. Në këtë kolonë mund të përfshihen materiale mësimore, për nxënësit e kursantët, si dhe detyra, ushtrime, problema apo njoftime për nxënësit. Ndërveprimi i nxënësit me platformën synon që ta motivojë dhe ta mbajë atë në gjendje të nxëni.
Cilat metodologji mësimdhënieje me në qender nxënësin do të sugjeronit si më efektive për të arritur rezultatet mësimore të parashikuara?
Metodologjitë e mësimdhënies dhe të të nxënit me në qendër nxënësit janë të shumta. Unë do të sugjeroja çdo metodë apo teknikë që siguron një ndërveprim aktiv midis nxënësve, midis tyre dhe mësuesve që nënkupton p.sh: pyetje-përgjigje-diskutime, punë në grupe, punë në projekte, paraqitje punimesh, ndërveprim në internet, reflektime të ndryshme. Janë pafund metodat që venë në qendër nxënësin, por lipset që mësuesit t’i identifikojnë ato dhe t’i përdorin në funksion të arritjes së rezultateve të të nxënit, por dhe të kohës apo momentit të duhur, për t’u zbatuar gjatë orës mësimore.
A mendoni se ka ardhur koha që mësuesit të brendësojnë format e reja të vlerësimit dhe t’i integrojnë në planifikimin e procesit mësimor?
Përdorimi i vlerësimeve online ku hartohen kuize, teste të shkurtra, teste të vlerësimit përfundimtar, por dhe portofoli digjital i nxënësit, janë risi në vlerësimin e vijueshëm dhe përfundimtar të tij. Kombinimi i teknikave të vlerësimit me plotësimin dhe realizimin e tyre online u përshtatet veçorive të moshës së adoleshencës dhe ata ndjehen mirë me to. Duhet marrë në konsideratë dhe problemi i kopjimit sidomos te testet përfudimtare, të cilat duhen menaxhuar me kujdes nga mësuesit, nëse ato realizohen online.