
Mësimi i kombinuar: Sfidat dhe zgjidhjet

Sa e realizueshme është metodologjia e mësimit të kombinuar në shkollat tona? Nga eksperienca juaj me mësuesit cilat kanë qenë disa vështirësi që ata kanë hasur dhe cilat praktika duhet të ndjekin sipas jush për t’i kapërcyer ato?
Të nxënët e kombinuar ka të bëjë me gjetjen optimale të ekuilibrimit të procesit mësimor në klasë, në biznes dhe online, në mënyrë që të nxënët të jetë më efikas në zhvillimin e aftësive dhe ekspertizës së nxënësve, si nëpërmjet të nxënit në bashkëpunim, ashtu dhe përmes punës së pavarur. Arsyet përse kjo qasje mund të jetë e vështirë mund të vijnë nga aftësitë e kufizuara digjitale të mësuesve apo të nxënësve si dhe infrastruktura digjitale e pamjaftueshme apo e munguar tërësisht, si për mësuesin ashtu edhe për nxënësit.
Për minimizimin e këtyre vështirësive kërkohet harmonizimi i tri elementeve:
1. Mjedisi i të nxënit
Pas situatës së krijuar nga pandemia, është e këshillueshme që të mendohemi mirë për llojin e veprimtarive online, nëse nuk jemi të sigurt që secili prej nxënësve ka akses në të, për të mos penalizuar askënd për shkak të pabarazive ekonomike. Ndësa kur jemi në klasë, shfrytëzimi optimal i klasave të kombinuara në shkollat partnere të projektit “Aftësi për Punë” kërkon një logjistikë rotative, që klasat të përdoren nga ato lëndë/mësues që kanë nevojë atë orë, jo të mbeten “pronë” e një klase të vetme, pasi kështu nxisim shtresëzimin e padrejtë mes nxënësve. Kjo është pak punë për lidershipin e shkollës, pasi duhet të organizojë oraret me lëvizje, por vlera e shtuar e justifikon mundin.
2. Përmbajtja
Kjo ka të bëjë me çfarë do të trajtohet dhe si do të trajtohet për të arritur rezultatet e dëshiruara të të nxënit. Disa materiale mund të jenë më të përshtatshme në format sinkron, e disa të tjera më të përshtatshme për t’u trajtuar asinkron. Mënyra si do të trajtohet materiali kërkon një punë paraprake nga mësuesi për trajtimin sa më të përshtatshëm të njohurive, shkathtësive, shprehive me mjediset e të nxënit, për të arritur rezultatet e dëshiruara. Mënyra e konceptimit, zbërthimit, dhe përdorimit të materialit duhet të jetë e tillë që t’i përshtatet nivelit të nxënësve dhe mjedisit të të nxënit.
3. Strategjitë mësimore
Krahas mjedisit të të nxënit dhe materialeve mësimore, përzgjedhja e strategjive më të përshtatshme, është puna më e vështirë dhe më e rëndësishme e mësuesve për të realizuar me sukses mësimin dhe për të marrë përfitimet maksimale nga të nxënët e kombinuar për nxënësit. Sigurohuni të përdorni teknika ndërvepruese, që sjellin realitetin e praktikës së nxënësve në klasë nëpërmjet situatave të të nxënit, përdorni lojën si një nga mjetet didaktike më interesante, shfrytëzoni organizuesit grafikë si hartën e mendimit apo cluster, në mënyrë që të nxënët të kombinohet si në klasë, ashtu edhe jashtë saj për një të nxënë të brendësuar për çdo nxënës.