
Platforma MësoVET dhe si përdoret ajo
Platforma MësoVET është një mjedis virtual i të nxënit ku mësues dhe nxënës kanë akses në materiale mësimore që bazohen në kurrikulë, si dhe materiale praktike të rekomanduara nga ekspertët e industrisë. MësoVET mundëson dokumentimin e veprimtarisë si për mësuesit në klasë edhe për mësimin në distancë të nxënësve. Ajo u mundëson nxënësve përmbajtje interaktive mësimore dhe mësuesve një mënyrë shumë të mirë për monitorimin e procesit të mësimdhënies.
Platforma pasurohet vazhdimisht me kurse të reja dhe materiale të reja mësimore. Përveç materialeve në formë teksti, videoje, kuize, forume etj, në MësoVET gjenden gjithashtu videot mësimore që kanë zhvilluar mësuesit e shkollave të mesme të përgjithshme mbi lëndët e përgjithshme të cilat transmetohen në RTSH shkolla apo tek akademi.al. Mësuesit e të gjithë shkollave partnere dhe jo vetëm, kanë krijuar grupet e tyre në kurset përkatëse dhe kanë mundësi të hartojnë materialet mësimore dhe t’i ngarkojnë më pas në platformë me ndihmën e ekipit të MësoVET.
Të gjitha materialet mund të aksesohen kudo dhe në çdo kohë, falas dhe në gjuhën shqipe. Është e përshtatshme për çdo nxënës, pasi secili prej tyre ka metodën e tij të studimit dhe është një mënyrë e cila plotëson nevojat e tyre, krijon një program studimi të personalizuar, ndryshe nga ajo tradicionale. Duke përdorur MësoVET, nxënësve u mundësohet fleksibilitet për ta aksesuar materialin mësimor në momentin më të përshtatshëm për ta, edhe jashtë klase. Nxënësit mund ta përzgjedhin vetë mënyrën e përthithjes së dijes, qoftë përmes të lexuarit, imazheve interaktive, lojërave apo kuizeve. Ata mund të mësojnë duke u zbavitur.
Platforma aksesohet në www.mesovet.al nëpërmjet emrit të përdoruesit ose adresës së e-mail dhe fjalëkalimit, në çdo kohë nga celulari apo kompjuteri.
Më poshtë gjeni disa video-tutoriale për përdorimin e platformës.