
Drama në klasë
Shpeshherë, kur flitet për dramën në klasë, njerëzit mendojnë rreth teatrit në edukim. E para është një metodologji lehtësisht e përdorshme nga cilido mësues si një formë mësimdhënieje e cila ndihmon nxënësit në zhvillimin e vazhdueshëm akademik dhe social, ndërsa i dyti është një proces i cili kërkon ekspertë në përdorimin e teknikave teatrale/dramatike interaktive për të ndihmuar procesin edukativ.
Nga studime të ndryshme të realizuara në Britaninë e Madhe, ku kjo teknikë është e përdorur gjerësisht, drama në klasë ka rezultuar shumë produktive, pasi nxënësi është i aftë të krijojë ndërgjegjësim për veten dhe vë në përdorim mendjen, trupin, zërin – pra nxënësi fizikisht dhe mendërisht është i gjithëpërfshirë në procesin mësimor. Gjithashtu, nxënësi rrit qartësinë dhe kreativitetin në komunikimin e ideve të artikuluara dhe jo të artikuluara – kjo nëpërmjet zgjidhjes së një situate të krijuar nga mësuesi.
Duke parë rëndësinë e kësaj metodologjie, projekti “Aftësi për Punë” organizoi aktivitetin “Drama në Klasë”. Ky aktivitet u organizua në formën e një prezantimi të teknikave të kësaj metodologjie nëpërmjet lojës. Prezantimi u zhvillua nga ekspertja në Edukimin nëpërmjet Dramës dhe Teatrit, Dr. Sonila Kapidani, duke vijuar më pas me një panel diskutimi me të ftuar Prof. As. Dr. Robert Gjedia. Qëllimi i këtij sesioni ishte njohja dhe diskutimi rreth metodave alternative të mësimdhënies me në qendër nxënësin. Gjatë këtij diskutimi, ekspertja Sonila Kapidani u shpreh se:
“Përfshirja e nxënësve në një proces mësimdhënieje, i cili është i përbashkët, i krijon atyre mundësinë që dijet të ndërtohen duke i kuptuar domethënien dhe rëndësinë e mësimit të një aftësie specifike. Kjo realizohet nëpërmjet vendosjes së nxënësit në një kontekst imagjinar të botës reale, ku ata shumë shpejt do të dalin nga shkolla dhe ajo do të bëhet e vërtetë”.
Mësuesit mund të shmangin përdorimin e dramës në klasë sepse kanë frikë se ajo kërkon përgatitje të lodhshme, që marrin kohë, ose nxënësit nuk do ta marrin seriozisht mësimin pasi aktivitetet e dramës janë të gjalla. Kjo mund të bëjë që arsimtarët të anashkalojnë dramën si një mjet të rëndësishëm për mësimdhënien në përgjithësi dhe për mësimin e aftësive specifike në veçanti.
Aktiviteti u shfaq live në faqen Facebook të projektit “Aftësi për Punë” dhe mund ta ndiqni më poshtë.