Rubrika “Ç’kemi”: Çfarë kemi mësuar nga nxënësit

Rubrika “Ç’kemi”: Çfarë kemi mësuar nga nxënësit

Në rubrikën “Ç’kemi” kemi pasur mundësinë të njihemi me nxënës të shumtë të arsimit profesional. Secili prej tyre ka qenë i veçantë në natyrën e tij, me vullnet dhe dëshirë për t’u anagazhuar në shkollë dhe në tregun e punës. Por çfarë kemi venë re tek të gjithë ka qenë pasiguria për hapat që duhet të ndjekin në të ardhmen. Një nga problematikat më të përmendura gjatë takimeve tona të përjavshme është mungesa e orientimit në karrierë për nxënësit e shkollave profesionale. Nxënësit kishin pak njohuri mbi njësitë e dedikuara për këtë shërbim dhe në disa raste janë të pavendosur për profilin që duan të zgjedhin apo mundësitë që ofron tregu i punës. Cili është roli i shkollës në këtë proces? A duhet shkolla të ndihmojë më tepër?

Sidita Dibra

Këtyre pyetjeve i jep përgjigje Sidita Dibra, Koordinatore Komponenti për Zhvillimin Institucional, e cila ndan me ne ndryshimet institucionale që kanë ndodhur kohën e fundit në lidhje me këtë çështje dhe kontributin që projekti “Aftësi për Punë” ka dhënë.

Që prej vitit 2017, me ligjin e ri të AFP-së u parashikua ngritja e Njësive të Zhvillimit si strukturë e brendshme në mbështetje të zhvillimit organizativ përmes funksioneve si zhvillimi i vazhduar profesional, zhvillimi i kurrikulave në nivel ofruesi, krijimi i lidhjeve me biznesin, orientimi në karrierë të nxënësve/kursantëve, hartimi dhe zbatimi i projekteve zhvillimore, zhvillimi i marketingut, dhe gjurmimit në nivel ofruesi. Aftësi për Punë ka mbështetur ofruesit në ndërtimin e praktikave të mira në këtë njësi që aktualisht koordinon veprimtaritë që sjellin risi dhe mundësi bashkëpunimi. Ndërsa shumica e funksioneve shërbejnë në zhvillimin e aspekteve të caktuara organizative dhe cilësisë së ofertës mësimore, orientimi e këshillimi në karrierë është funksioni me përfitues direkt nxënësit në momente të rëndësishme vendim-marrje.

Ky shërbim ofrohet për nxënësit në 9 shkollat partnere të projektit, sipas një plani pune gjithëpërfshirës dhe në linjë me vizionin e shkollës. Një prej këtyre shkollave tyre është dhe “Hamdi Bushati” e cila e ofron këtë shërbim nën drejtimin e koordinatores përkatëse dhe stafit mësimor. Psikologia e shkollës ka një rol mjaft të rëndësishëm në këtë proces. Sipas modelit të ndërtuar, shërbimi për nxënësit ofrohet që para se ata të rregjistrohen, përmes profileve të kërkesave dhe informacionit mbi profesionin, në mbështetje të zgjedhjes së arsimit profesional dhe një drejtimi të caktuar. E veçanta e këtij ofruesi është organizimi i shkollave verore në mjediset e institucionit me pjesëmarrjen e vetë nxënësve praktikantë, mësuesve dhe bizneseve me qëllim që nxënësit aspirantë përmes veprimtarive praktike e zbavitëse të zbulojnë talentet e tyre.

Nën drejtimin e koordinatorit për karrierën dhe në bashkëpunim me mësuesit e tjerë, në javët e para të shkollës, nxënësit e klasave të 10-a, marrin pjesë në veprimtari për njohjen e mëtejshmë të profesionit, karrierës dhe vetes. Para se nxënësit të aplikojnë për praktikë profesionale, me ndihmën dhe të mësuesve të praktikës e koordinatorëve të tjerë në Njësinë e Zhvillimit, ata përgatiten si të hartojnë një CV, letër motivimi apo si të sillen në një intervistë pune, aftësi këto që vlejnë edhe për më tej. Në momentin e zgjedhjes së profilit në klasën e 11-të, nxënësit prezantohen me programin dhe mundësitë e ndryshme që ofrojnë kualifikime të caktuara. Shumë nga shkollat partnere në këtë proces përfshijnë edhe bizneset partnere të cilët pasqyrojnë një panoramë, kryesisht për profesionet më pak të njohura. Përveç takimeve informuese biznes-nxënës si në rastin e shkollës Tregtare për promovimin e profilit orientuar drejt shërbimit si bar restorant, shkolla të caktuara organizojnë edhe workshope të dedikuara me nxënës e përfaqësues të sektorëve të caktuar si rasti i shkollës “Kolin Gjoka” për drejtimin Teknologji Informacioni e Komunikimi. Në këto procese informohen edhe prindërit me qëllim që vendim-marrja të jetë e dakortësuar.

Para diplomimit, nxënësit këshillohen në mënyrë të veçantë si të kërkojnë e aplikojnë për punë si dhe përfaqësues të zyrave të punës realizojnë prezantime e rregjistrime të tyre si të interesuar për punë. Të gjitha shkollat partnere këtë vit po organizojnë aktivitetet në kuadrin e “Ditët e maturantëve 2021”. Gjithashtu, me qëllim informimin mbi mundësitë e punësimit, në hollin e shkollës po vendosen kënde të punësimit ku do të publikohen e vendeve vakante që vijnë kryesisht nga bizneset partnere. Një informacion i tillë shpërndahet rregullisht dhe në rrjete sociale të shkollave partnere. Gjatë sezonit të verës, shumë nxënës angazhohen në punë sezonale, sidomos në shkollat që ndodhen në zona turistike. Në këtë mënyrë ata kanë mundësi të kontribuojnë por dhe mësojnë më shumë nga mjedisi i biznesit. 

Njësia e zhvillimit dhe shërbimet që ofrohen janë akoma të reja dhe në fazë konsolidimi në institucionet ofruese. Akoma ka nevojë që nxënësit të informohen dhe të nxiten të jenë proaktivë duke kërkuar shërbime pranë kësaj njësie ku është përherë dikush që i pret dhe i këshillon drejt mundësive sipas potencialit që nxënësi dhe tregu i punës ofron.