Nxënësit e shkollave 9-vjeçare njihen me arsimin profesional

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare njihen me arsimin profesional

Ditët e ‘’Dyerve të hapura’’ janë kthyer tashmë në traditë. Çdo vit, shkollat profesionale partnere të projektit ‘’Aftësi për Punë’’ organizojnë aktivitete të ndryshme për të prezantuar dhe promovuar ofertat e tyre mësimore. Edhe këtë vit, dyert e shkollave u hapën për prindër të interesuar dhe për nxënës të ardhshëm.

Disa nga aktivitetet që u organizuan janë të prezantuara më poshtë.

Shkolla “Hamdi Bushati” në fillim të muajit qershor hapi dyert për të rinjtë e qytetit të Shkodrës. Stafi i shkollës u kujdes që jo vetëm të organizonte panaire dhe vizita të nxënësve të klasave të 9-ta, por edhe të zhvillonte një takim me përfaqësues të bizneseve partnere të shkollës, në të cilën u diskutua rreth ofertës së shkollës, rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e praktikës profesionale në këto biznese si dhe u dhanë disa sugjerime nga ana e tyre lidhur me oferten, vlerësimin e nxënësve në praktikë etj.

Shkolla “Kolin Gjoka” solli ditën e ‘’Dyerve të hapura’’ në formën e një panairi ku nxënësit bënë prezantimin e drejtimeve që shkolla ofron për prindërit dhe të rinjtë e interesuar. Gjashtë përfaqësues të biznesit shpërndanë edhe certifikata vlerësimi për nxënësit të cilët kishin fituar aftësi dhe rezultate gjatë zhvillimit të praktikës në biznes.

Ky aktivitet mori një kuptim të veçantë këtë vit edhe për shkollën Tregtare Vlorë. Ky event zgjati katër ditë dhe morën pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare të cilëve iu prezantuan mjediset e shkollës. Një sërë aktivitetesh, si: lojra sportive dhe gatimi i pjatave të ndryshme u zhvilluan së bashku me nxënësit e shkollës. E veçanta e këtij eventi ishte shoqërimi i nxënësve të klasave të nënta në mjediset e hoteleve ku nxënësit kryejnë praktikat profesionale.

Shkolla “Salih Çeka” i dha mundësinë nxënësve të ardhshëm të përjetonin eksperiencën e të qenurit nxënës në këtë shkollë duke i bërë pjesë të aktivitetit “Nxënës për një ditë’’. Ata morën pjesë në orë të hapura dhe provuan si është të jesh profesionist në profile të ndryshme që shkolla ofron.