
Fillimi i mbarë, gjysma e punës!
Shkollat profesionale partnere të projektit “Aftësi për Punë” e nisën vitin shkollor me aktivitete të shumta për nxënësit e klasave të 10-ta. Ndër to veçojmë Shkollën Teknike Ekonomike Tiranë dhe shkollën “Kolin Gjoka” në Lezhë.
Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë u uroi mirëseardhjen nxënësve të rinj me një javë aktivitetesh, ku ata u njohën me ambientet e reja dhe stafin e shkollës, vizituan kompani partnere të shkollës, mësuan mbi përvojat e suksesshme të punësimit nga nxënës të tjerë, u argëtuan me lojëra duke u njohur më mirë njëri-tjetrin.
Shkolla “Kolin Gjoka” me mbështetje nga S4J organizoi javën e mirëseardhjes së nxënësve të rinj me teatër e lojëra. Kjo përbënte argëtim përmes teknikave të ndryshme të teatrit të cilat nxisin shoqërimin, punën në grupe, zhvillimin e imagjinatës, eksplorimin e botës së teatrit duke improvizuar skena dhe krijuar tregime të ndryshme.
Gjithashtu, shkolla organizoi dhurimin e një smartphone për nxënësit e klasës së 10-të që do të sillnin një mikun e tyre të regjistrohej në shkollë. Dhurata u fitua nga Anjeza Gilani, nxënëse e regjistruar në drejtimin “Shërbime Sociale e Shëndetësore”, e cila nga dëshira për të qenë pjesë e shkollës bëri të regjistrohej në shkollë edhe kushëririn e saj, Bledjanin.

Anjeza na tregon se si e zgjodhi shkollën “Kolin Gjoka”.
“Disa miq që studjonin në shkollë më kishin thënë që ishin shumë të kënaqur. Kur erdha këtu, kuptova që këto nuk ishin vetëm fjalë. E para, mësuesit më pëlqejnë shumë dhe e shpjegojnë shumë mirë mësimin. Rregullat e shkollës janë shumë të qarta e kujdesen që të mos shqetësohet askush. Shkolla ka kushte shumë të mira, dhe tani shpresoj vetëm të dal mirë në profesionin që kam zgjedhur”,
thotë Anjeza
Anjeza tregon se pikërisht për këtë arsye ia sugjeroi shkollën kushëririt të saj, Bledjanit. Ai nuk kishte plan të fillonte shkollë tjetër, kështu që Anjeza e ftoi të regjistrohej në shkollë, në të njëjtin drejtim, në mënyrë që të ndihmonin njëri-tjetrin.
Anjeza tregon për lëndën e saj të preferuar që është praktika, dhe mezi pret ta fillojë atë.
“Sot kemi vizituar spitalin, poliklinikën, maternitetin, ku pamë se si punojnë infermierët dhe mjekët. Praktikën kam dëshirë ta bëj në spital, dhe mezi po pres. Ëndrra ime më e madhe është të bëhem një infermiere e mirë që të shëroj sa më shumë njerëz.”