Shoqatat e industrisë kontribuojnë në rritjen e cilësisë së ofertës së AFP

Shoqatat e industrisë kontribuojnë në rritjen e cilësisë së ofertës së AFP

Shoqata të ndryshme të industrisë tashmë kanë lidhur marrëveshje bashkëpunimi me shkollat profesionale partnere të S4J dhe po kontribuojnë konkretisht në përmirësimin e ofertës së shkollave si dhe aftësimin e nxënësve në kompanitë që përfaqësojnë.

Shoqata Proexport është përfaqesuese zyrtare e industrisë së veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri, duke përfaqësuar 700 fabrika aktive në të gjithë vendin. Në muajin shtator Z. Florian Zekja, anëtar i kryesisë së Proexport, vizitoi Shkollën Teknike Ekonomike Tiranë për t’u njohur me stafin, mjediset e me ofertën e shkollës. Gjatë diskutimit, Z. Zekja theksoi domosdoshmërinë e përshtatjes së ofertës së shkollave profesionale sipas nevojave që ka ekonomia rajonale. Për të arritur këtë, duhet që shkolla të ofrojë profile në përshtatje me specialitetet e secilit rajon, si dhe të kryejë investime të vazhdueshme në kurrikula dhe laboratorë.

Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë priti gjithashtu Znj. Mimoza Hajdarmataj, Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Siguruesve. Kjo shoqatë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me të gjithë shkollat partnere të projektit për zhvillimin dhe përmirësimin e profilit “Sigurime”, qoftë për realizimin e praktikave profesionale në kompanitë e sigurimeve që shoqata përfaqëson, por edhe në edukimin financiar të të rinjve dhe trajnimin e mësuesve të profilit “Sigurime”. Gjatë takimit në Shkollën Teknike Ekonomike Tiranë, u diskutua mbi forcimin e këtij bashkëpunimi përmes informimit të kompanive të sigurimit mbi ofertën dhe potencialin e këtij profili.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Z. Arben Shkodra, u takua me Menaxherin e Projektit të S4J, Z. Fation Dragoshi, dhe menaxherët e përgjithshëm të “Kraco” dhe “Megatek”, kompani partnere me shkollën “Gjergj Canco”. Ky ishte i pari i një cikli takimesh që pritet të organizohen muajt në vazhdim, me qëllim shkëmbimin e opinioneve me industritë prodhuese për nxitjen e punësimit dhe aftësimit të nxënësve të shkollave profesionale.

Z. Arben Shkodra gjatë bisedës me përfaqësues të projektit S4J