Festojmë partneritete të reja: Dy shkolla partnere fitojnë grantet e Regional Challenge Fund

Festojmë partneritete të reja: Dy shkolla partnere fitojnë grantet e Regional Challenge Fund

Dy nga shkollat partnere të projektit “Aftësi për Punë”, shkolla “Kolin Gjoka” dhe Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë, janë fituese të granteve konkuruese të Regional Challenge Fund (Fondi Rajonal i Sfidës).

Fondi Rajonal i Sfidës është një mekanizëm unik financimi që synon të rrisë punësimin e nxënësve të arsimit profesional përmes bashkëpunimit dhe fuqizimit të palëve të interesit, në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Nga 123 aplikime nga rajoni, 5 projekte nga Shqipëria u përzgjodhën si fitues të granteve këtë vit. RCF ka alokuar 2.6 milionë Euro për investime në pajisje, infrastrukturë dhe kapacitim për institucionet e AFP-së. Ceremonia e shpalljes së fituesve u zhvillua në hotel “Rogner” dhe mblodhi përfaqësues nga Western Balkans 6 Chamber Investment Forum (WB6 CIF), Ambasada Gjermane, KfW, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Ministria e Financës dhe Ekonomisë, Fondi Rajonal i Sfidës si dhe fituesit e granteve nga Shqipëria.

Projekti “Aftësi për Punë” është shumë krenar që ka arritur të krijojë modele të suksesshme në zhvillimin e marrëdhënieve të shkollës me biznesin, në përmirësimin e procesit te digjitalizimit nëpër shkolla si dhe në qasjen e shkollave kundrejt projekteve dhe fondeve për zhvillim dhe aftësim profesional.

Deri më sot, pesë shkolla partnere të S4J kanë përfituar grante nga RCF. Besojmë se ky model bashkëpunimi do të garantojë qëndrueshmëri të vazhdueshme dhe do të korrë suksese dhe arritje të tjera në vijim.