Në një hap me nevojat e tregut: Zgjerimi i ofertës së AFP-së

Në një hap me nevojat e tregut: Zgjerimi i ofertës së AFP-së

Projekti “Aftësi për Punë” në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) qëndron i dedikuar për hartimin e standardeve të profesionit dhe përshkrimit të kualifikimeve për programin pas të mesmes “Menaxhim-Diagnostikim në auto-servis”. Kjo iniciativë po realizohet me përfshirjen aktive të profesionistëve të sektorit privat, në mënyrë që programi të jetë në një linjë me kërkesat e tregut.

Gjatë muajit dhjetor u ngrit grupi i punës për hartimin e standardit të profesionit të këtij programi. Nga “Standardi i Profesionit” nis procesi i përmirësimit të kurrikulës kombëtare respektive.

“Diagnostikim-Menaxhim në Autoservis” është program profesional pas të mesmes, që i korrespondon Nivelit V në Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve. Ky program 1-vjeçar është për këdo që ka përfunduar shkollën e mesme profesionale në drejtimin “Shërbime mjetesh transporti” ose punon në sektorin e shërbimeve të automjeteve. Programi hap rrugët për një karrierë si “Diagnostikues i parregullsive të automjeteve” ose “Menaxher” në autoservis, si dhe mundësi licensimi si “Drejtues Teknik” në autoservis.

Duke u orientuar nga kërkesat e tregut të punës, programet pas të mesmes targetojnë të diplomuarit nga arsimi i përgjithshëm dhe ai profesional. Në këtë mënyrë, ato kanë potencial të ulin inaktivitetin e të rinjve për të arritur një punësim të mirë dhe të qëndrueshëm.