
Mbështetja e koordinatorëve: Trajnime dhe bashkëpunim për ndryshime pozitive në AFP
Projekti “Aftësi për Punë” në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve hartoi dhe zhvilloi trajnimin intensiv teoriko-praktik me pjesëmarrjen e të gjithë koordinatorëve të ofruesve publikë të AFP-së të funksioneve të zhvillimit të projekteve, gjurmimit dhe marketingut. Qëllimi i kësaj iniciative është që t’i ndihmojë koordinatorët të përmbushin rolin e tyre në mënyrë efektive, përmirësimin e nivelit të mësimdhënies dhe fuqizimin e institucioneve të AFP-së.

Programi konsistoi në tre module trajnimi: “Trajnimi kombëtar i Koordinatorëve të Projekteve Zhvillimore në Njësinë e Zhvillimit”, i mbajtur në 2 mars – 8 prill, “Trajnimi kombëtar i Koordinatorëve të Marketingut në Njësinë e Zhvillimit”, 13 mars-1 prill dhe “Trajnimi kombëtar i Koordinatorëve të Gjurmimit”, 28-29 prill. Këto trajnime u zhvilluan në modalitet online dhe ballë-për-ballë, duke siguruar një eksperiencë dinamike dhe interaktive.
Së shpejti do të publikohen dy udhëzues praktikë që do t’u shërbejnë koordinatorëve në punën e tyre të përditshme. Udhëzuesit do të njehsojnë kriteret, procedurat, qasjet dhe formatet me të cilat operojnë koordinatorët.
Për të ngritur një komunitet dinamik shkëmbimi dhe bashkëpunimi, janë ngritur edhe Komunitetet e Praktikës së Koordinatorëve në platformën online “Mësovet”. Në këtë mënyrë, koordinatorët mund të shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat me kolegët e tyre dhe të diskutojnë sfida dhe mundësi që lidhen me rolin apo funksionin e tyre. Përmes këtyre komuniteteve, koordinatorët do të kenë mundësi të ndërmarrin iniciativa të përbashkëta dhe të nxisin ndryshime pozitive në sistemin e AFP-së.