
Planifikim afatmesëm për të arritur suksesin: Formësimi i prioriteteve strategjike në AFP
Ka qenë pikërisht planifikimi në fokus të aktivitetit 2-ditor të zhvilluar në Berat, e më konkretisht planifikimi afatmesëm për katër vitet në vijim. Kjo iniciativë vjen në përputhje me draft Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030.
I organizuar në vijim të aktiviteteve të zhvilluara në Vlorë, Elbasan dhe Tiranë gjatë muajit mars, synimi kryesor ishte hartimi i misionit, vizionit dhe prioriteteve strategjike të institucioneve partnere të S4J për këtë katër-vjeçar përmes konsultimit me ekspertë dhe shkëmbimit të përvojës mes shkollave. Kjo qasje në formë bashkëpunimi ishte një risi e sjellë për herë të parë këtë vit.

Në fund të aktivitetit, përfaqësues nga shkollat partnere prezantuan njërin nga prioritetet kryesore strategjike të institucionit, ku veçojmë:
• Rritja e konsolidimi i bashkëpunimit me bizneset dhe zhvillimi i praktikave profesionale sa më cilësore;
• Digjitalizimi i procesit mësimor;
• Rritja e cilësisë dhe modernizimi i AFP;
• Kualifikimi i vazhdueshëm i stafit.
Për të mësuar më shumë mbi këtë proces, kemi marrë disa nga përshtypjet e stafit të shkollave partnere.

“Procesi i planifikimit strategjik duket si fjalë e madhe, por në fakt ndryshimi vjen nga gjëra të vogla. Grupi i përcaktuar për procesin e planifikimit në shkollën tonë po rritet duke përfshirë shkëmbimin e përvojave me shkollat e tjera profesionale dhe ekspertë të projektit S4J. Jam i bindur që secila shkollë do të ketë planifikim shumë herë më të mirë sesa po ta hartonte atë individualisht.”
Ferik Koçi, drejtor i shkolles “Kristo Isak” në Berat
Rudina Gjoka, Përgjegjëse e Njësisë së Zhvillimit në shkollën “Kolin Gjoka” në Lezhë na tregon për risitë që solli ky vit shkollor në procesin e planifikimit afatmesëm.

“Këtë vit, procesi i planifikimit afatmesëm është shumë herë më i organizuar. Që në fillimin e punës nga grupi i hartimit e monitorimit të planit, kemi pasur ekspertizën e nevojshme, qoftë për mbledhjen e të dhënave për analizën e situatës ku kemi marrë trajnime nga specialistë të INSTAT, e deri tek konsultimi me aktorë të tjerë të interesit.”
Ndërkohë, drejtoresha e shkollës “Hamdi Bushati”, Merita Zeneli, flet për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në procesin e planifikimit afatmesëm.

“Plani afatmesëm është plani më i rëndësishëm që harton institucioni. Për shkollën “Hamdi Bushati” në procesin e planifikimit ka shumë rëndësi përfshirja e komunitetit, si prindërit dhe bizneset. Në fakt, bizneset janë aktorët kryesorë në këtë proces, sepse fokusi ynë kryesor është zhvillimi i praktikës profesionale në kompani.”
Drejtoresha e shkollës “Ali Myftiu” në Elbasan, Refiko Lushjani, na tregon për njërin nga prioritetet strategjike të institucionit që drejton.

“Njëri nga prioritetet që kam për zemër është rritja e cilësisë së arsimit profesional. Duke arritur standarde më të larta, do të mund të frenojmë fenomenin e largimit të nxënësve jashtë vendit.”