
Krijimi i bankave të pyetjeve në platformën MësoVET si lehtësues në përgatitjen e kuiceve
Në bashkëpunim me mësuesit e disa shkollave partnere të projektiti “Aftësi për Punë”, gjatë kësaj periudhe janë krijuar bankat e pyetjeve për katër kurse të ndryshme: “Të Ushqyerit”, “Llogari dhe Kontabilitet”, “Tregti” dhe “Bazat e Sipërmarrjes”.
Duke marrë parasysh ngarkesën e madhe të punës që mësuesit kanë çdo ditë, është e zakonshme që në disa raste të mos arrijnë të realizojnë të gjitha aktivitetet e planifikuara brenda një ore mësimore. Prandaj, për ata mësues që janë të njohur me platformën MësoVET, ka opsione të disponueshme për të lehtësuar punën e tyre. Një nga funksionalitetet kryesore që ofron platforma MësoVET është krijimi i bankës së pyetjeve. Banka e pyetjeve lejon mësuesit të ruajnë pyetjet e tyre në një bazë të të dhënave, duke i bërë ato të gatshme për përdorim në çdo kohë dhe në çdo kurs. Përmes bankës së pyetjeve, mësuesit mund të ruajnë pyetjet e preferuara dhe t’i përdorin ato për të krijuar një kuic të thjeshtë gjatë orës mësimore ose një test për të vlerësuar nxënësit, dhe kjo realizohet me një klikim të thjeshtë.
Krijimi i bankës së pyetjeve në platformën MësoVET është një proces i thjeshtë dhe intuitiv. Mësuesit mund të krijojnë kategori të ndryshme për të organizuar pyetjet sipas interesave, temave, niveleve të vështirësisë, e të tjera. Kategorizimi i pyetjeve, i lejon mësuesit të gjejnë dhe të përdorin pyetjet me lehtësi në momentin e duhur.
Platforma MësoVET gjithashtu i ofron mësuesve mundësinë për të ndarë bankat e tyre të pyetjeve me kolegët e tyre, duke inkurajuar bashkëpunimin mes tyre. Ky aspekt i platformës lejon mësuesit të përfitojnë nga eksperienca dhe kreativiteti i kolegëve të tyre në përgatitjen e pyetjeve të cilat do të përdoren në mësim. Mundësia për të importuar pyetje nga banka e pyetjeve të një kursi tjetër, si dhe eksportimi i bankave të pyetjeve dhe ndarja e tyre me mësuesit e tjerë, kontribuojnë në rritjen e bazës së të dhënave të bankave të pyetjeve në nivel shkollor dhe më gjerë.
Më poshtë gjeni video tutorialet që janë përgatitur për krijimin e bankave të pyetjeje dhe krijimin e një kuici duke përdorur pyetjet e ngakuara aty.