
Mësuesit kapacitohen për zhvillimin e provimeve të nivelit në platformën MësoVET
Në përfundim të çdo viti akademik, shkollat profesionale zhvillojnë provimet e nivelit, siç tashmë është bërë traditë, në platformën Mësovet. Për të lehtësuar këtë proces, mësuesit sipas shkollave përkatëse iu nënshtruan një trajnimi me qëllim menaxhimin e procesit në mënyrë efektive. Secila shkollë në platformën e saj ka një program të dedikuar për provimet e nivelit ku ruhen testet dhe rezultatet e nxënësve ndër vite, të cilat janë të aksesuesshme nga mësuesit në cdo kohë. Në hapësirën e dedikuar për provimin (kurs) mësuesit u trajnuan për përdorimin dhe konfigurimin e kuicit dhe krijimin e grupeve të nxënësve sipas klasave dhe testimeve përkatëse. Duke përdorur këtë mjet, mësuesit mund të vlerësojnë me saktësi nivelet e nxënësve pasi ata mund të krijojnë një sërë pyetjesh që përputhen me grupe të veçanta aftësish, duke ofruar një vlerësim gjithëpërfshirës të kompetencave të tyre. Mësuesit u udhëzuan në konfigurimin e kuicit duke u përqëndruar tek vendosja e parametrave të tillë si kufijtë kohorë, përpjekjet e lejuara, kufizime në bazë klase apo kritere të tjera, mekanizmat e vlerësimit dhe opsionet e feedback-ut për të përshtatur pyetjet sipas kërkesave të tyre specifike. Për të siguruar një vlerësim gjithëpërfshirës të aftësive të nxënësve, mësuesit u njohën me lloje të ndryshme pyetjesh si pyetje me zgjedhje të shumëfishta, e vërtetë apo e gabuar, përgjigje të shkurtra, pyetje të hapura, me bashkërendim, etj. Cdo testim kufizohet për një ose më shumë klasa dhe rezultatet menaxhohen lehtësisht. Në përfundim të provimeve, mësuesi sipas grupeve të klasave mund të shkarkojë në formate të ndryshme rezultatet e nxënësve dhe ti ruajë ato në arkivën e shkollës.
Për të mësuar më shumë rreth proceseve të tilla, janë zhvilluar një sërë video tutorialesh që i’u vijnë në ndihmë mësuesve jo vetëm për provimet e nivelit por edhe për veprimtari të tjera që mësuesit mund të përdorin brenda kursit.
Linku i playlist: https://youtube.com/playlist?list=PLuAl9kfLMx3KkAzyAtIqPyGG1B5hi3Hnj