
Programi i Shkëmbimit të mësuesve për të ndjekur përdorimin e MësoVET në mësimdhënien në klasë
Gjatë muajve prill-maj të këtij viti, u zhvilluan 32 orë të hapura në shkollat partnere të projektit ‘Aftësi për Punë’, ku në secilën prej tyre u prezantua një model i zhvillimit të orës mësimore përmes veprimtarive online, duke përdorur platformën MësoVET. Qëllimi i këtyre orëve të hapura ishte promovimi dhe shpërndarja e këtij modeli më gjerë. Për ta arritur këtë më së miri, u organizuan dy shkëmbime mes mësuesve, në të cilat mësuesit patën mundësinë të vëzhgojnë dhe të mësojnë nga përdorimi i suksesshëm i MësoVET në shkollë.
Shkëmbimi i parë u zhvillua mes mësuesve të shkollës profesionale Hoteleri-Turizëm në Tiranë dhe shkollës Teknike Ekonomike, gjithashtu në Tiranë. Në këtë shkëmbim, mësuesit e shkollës Hoteleri-Turizëm vizituan një orë të hapur të drejtuar nga mësuesja Alketa Avari në shkollën Teknike Ekonomike, në lëndën Qytetari. Ky shkëmbim u bë për t’i ofruar mësuesve të shkollës Hoteleri-Turizëm njohuri mbi metodat e mësimit të kombinuar dhe për t’i aftësuar ata të planifikonin orën e tyre mësimore duke përfshirë veprimtari online. Qëllimi afatgjatë i këtij shkëmbimi ishte që mësuesit e shkollës Hoteleri-Turizëm të ishin në gjendje të aplikonin këto metoda efektive të mësimdhënies edhe në shkollën e tyre.
Shkëmbimi i dytë u zhvillua mes shkollës profesionale TIK, Fan Noli, në Korçë dhe shkollës së mesme profesionale Salih Çeka, në Elbasan. Ky shkëmbim i ofroi mësuesve të shkollës profesionale TIK, Fan Noli, mundësinë të mësonin më shumë rreth teknologjive të reja në fushën e Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK) për të përmirësuar mësimdhënien në këtë drejtim. Përmes vëzhgimit të një ore të hapur të drejtuar nga mësuesi Julian Kasapi, ata u njohën dhe me rolin e Personit Kyç të Digjitalizimit në shkollë.
Aktivitetet e këtyre shkëmbimeve përfshinë vizitën e mësuesve në shkollat partnere për të vëzhguar orën e hapur të mësuesve të përzgjedhur, takime me drejtuesit e shkollave dhe mësuesit që zhvilluan orën e hapur, si dhe njohjen me infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e një orë mësimore me përdorim të teknologjisë dhe platformës MësoVET. Këto shkëmbime inkurajuan dhe aftësuan mësuesit për të përdorur teknologjitë në mësimdhënie, si dhe ndihmuan në promovimin e bashkëpunimit dhe ndarjes së praktikave të mira midis mësuesve të shkollave të ndryshme.