Zhvillimi i orëve mësimore model nëpërmjet platformës MësoVET

Zhvillimi i orëve mësimore model nëpërmjet platformës MësoVET

Realizimi i orës mësimore me bazë përmbajtjen digjitale dhe me pjesëmarrjen aktive të nxënësve në të, është një ndër prirjet kryesore të kohëve të fundit në fushën e arsimit, si një vlerë e shtuar në qasjet mësimdhënëse dhe në përvojën e të nxënit. Këtë qasje të re ndaj mësimdhënies dhe të nxënit, projekti “Aftësi për Punë” e ka mbështetur vazhdimisht, si në aspektin e sigurimit të infrastrukturës digjtale dhe zhvillimit të përmbajtjes digjitale kurrikulare, ashtu edhe nëpërmjet aftësimit të aktorëve të përfshirë. Edhe pse të gjithë mësuesit tashmë janë ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e digjitalizimit të procesit të të nxënit, një pjesë prej tyre vazhdon të shfaqë rezistencë ndaj këtij orientimi, herë për shkak të barrierave psikologjike që krijon përdorimi i teknologjisë, herë për shkak të pasigurisë në suksesin e modaliteteve të reja të realizimit të mësimit. Me synim kryesor  intensifikimin e përdorimit të teknologjive digjitale dhe materialeve mësimore digjitale gjatë orës së mësimit, projekti ndërmori nismën e organizimit të një maratone orësh të hapura mësimore të bazuara në përdorimin e platformës MësoVET. Të konceptuara si të hapura, orët do të ndiqeshin edhe nga kolegë të tjerë, për të ndarë me ta eksperiencën dhe për t’i nxitur dhe frymëzuar në përdorimin e platformës.

Nën optikën e aplikimit të mësimit të kombinuar, kjo nismë u konsiderua si një promovim i shndërrimit të platformës digjitale MësoVET në pjesë integrale të përditshmërisë së procesit mësimor, si dhe si një mundësi për të “çmitizuar” idenë se mësimi i kombinuar dhe përdorimi i teknologjive digjitale mund të kryhet me sukses vetëm në kushte të përsorura infrastrukturore dhe kur mësuesit kanë aftësi të spikatura digjitale. Bazuar në këtë të fundit, përzgjedhja e mësuesve u realizua në mënyrë të qëllimshme, duke synuar përfshirjen e tipologjive të ndryshme të mësuesve:  si mësuesit që integrojnë vazhdimisht teknologjinë në procesin mësimor, ashtu edhe ata më të stepur ndaj saj; si mësuesit e lëndëve profesionale, ashtu edhe ato të lëndëve të përgjithshme; si mësuesit që mbulojnë lëndë për të cilat disponohen materiale mësimore digjitale në MësoVET, ashtu edhe mësuesit e lëndëve që nuk kanë materiale, për të cilët u shtuan veprimtari në platformë në përputhje me temën e trajtuar; si mësuesit më të familjarizuar dhe të aftësuar në aplikimin e mësimit të kombinuar, ashtu edhe ata më pak të ekspozuar me këtë modalitet; si mësuesit e rinj në profesion, ashtu edhe ata me përvojë më të gjatë.

Nismës iu bashkuan mbi 30 mësues, me të cilët u organizuan takime kolektive dhe diskutime individuale mbi realizimin e orës së hapur mësimore. Mësuesit u mbështetën nga ekipi i ekspertëve pedagogjikë, me të cilët u realizuan takime për planifikimin e orës së hapur mësimore, me në fokus identifikimin e veprimtarive mësimore dhe të vlerësimit, si dhe përzgjedhjen e modalitetit optimal të zhvillimit të tyre. Mësuesit bashkëpunuan ngushtë edhe me ekspertët e digjitizimit, duke kryer përshtatjet e nevojshme të materialeve mësimore ekzistuese në platformë apo duke shtuar aktivitete në rastin e zhvillimit të orës së hapur në lëndë të cilat ende nuk disponojnë materiale në platformë. Pas shkëmbimeve dhe validimit të planit të orës mësimore, nisi zhvillimi i tyre, me praninë e kolegëve të shkollës (mësues, drejtues, mësuesi në rolin e Digital Focal Point), ekspertëve që mbështetën punën përgatitore, si dhe koordinatoreve përkatëse rajonale. Ndjekja e orës mësimore nga ana e ekspertëve të projektit dhe dhënia e feedback-ut pas orës së mësimit gjatë diskutimit me mësuesit, mundësoi identifikimin e pikave të forta të zhvillimit të mësimit me përdorimin e platformës, evidentimin e sfidave, si dhe nxjerrjen e disa mësimeve të vlefshme për t’u patur në konsideratë në vazhdim. Zhvillimi i orëve të hapura nëpërmjet platformës MësoVET dëshmoi se pavarësisht aftësive aktuale digjitale, përvojës në përdorimin e teknologjive digjitale në mësimdhënie, natyrës së lëndës apo edhe faktorit moshë, të gjithë mësuesit mund të realizojnë orë mësimore të mbështetura në përdorimin e platformës MësoVET, në formate të ndryshme të organizimit të orës, sipas një qasjeje graduale. Njëkohësisht, duke e përdorur platformën në mënyra të ndryshme, herë thjesht në trajtë prezantimi të përmbajtjes digjitale nëpërmjet monitorit dhe herë duke ftuar nxënësit të marrin pjesë në aktivitetet e përfshira në të, mësuesit u ndërgjegjësuan më tej mbi fleksibilitetin dhe mundësinë për qasje graduale që krijon përdorimi i platformës, duke minimizuar kështu edhe pengesat e tyre psikologjike.

Me qëllim shtrirjen më tej të impaktit të orëve të hapura mësimore, si dhe mundësimin e replikimit të tyre nga mësues të tjerë të shkollave profesionale partnere dhe jo vetëm, nisma do të finalizohet me një publikim të përvojës së të gjitha orëve të zhvilluara.