
Provimet e nivelit në arsimin profesional zhvillohen në platformën MësoVET
Provimet e nivelit për shkollat profesionale partnere të projektit ‘Aftësi për punë’, për vitin akademik 2022-2023 u zhvilluan në platformën MësoVET, siç tashmë është bërë praktikë prej tre vitesh. Gjatë provimeve të nivelit, nxënësit vlerësohen në dy aspekte, si në teorinë profesionale ashtu dhe në praktikën profesionale. Si çdo vit, çdo shkollë ka pasur në dispozicion për mbështetje teknike një person të dedikuar që administron platformën e shkollës dhe që administron provimet së bashku me suportin teknik të platformës. Provimet janë zhvilluar në ditë të caktuara sipas çdo shkollë, siç shihen edhe në tabelën e mëposhtme, për drejtime/profile të caktuara. Përpara provimit, administratori i platformës sigurohet që nxënësit janë të pajisur me kredencialet përkatëse, i përditëson ato sipas nevojës dhe i regjistron në kursin përkatës ku do të zhvillohet provimi. Gjithashtu, ndan me ta edhe një video udhëzuese se si duhet të plotësojnë tezën për të shmangur çdo paqartësi gjatë testimit. Tezat e provimeve ngarkohen dhe konfigurohen sipas udhëzimeve përkatëse.


Për të kuptuar më shumë rreth përvojës së mësuesve që janë përfshirë në këtë proces, ne kemi zhvilluar një intervistë me mësuese Meralda Mahilaj, nëndrejtoreshë e shkollës Tregtare, Vlorë, e cila në rolin e personit kyç të digjitalizimit ka drejtuar procesin e zhvillimit të provimeve të nivelit në platformën MësoVET.
Mësuese Meralda na tregon se nxënësit kanë qenë të familjarizuar me përdorimin e platformës MësoVET gjatë gjithë vitit shkollor. Gjatë orëve të mësimit, ata kanë kryer kuice dhe janë konsultuar me materialet e disponueshme në platformë. Përveç kësaj, ata kanë zhvilluar paraprovime për t’u përgatitur më mirë për provimet e nivelit. Metoda interaktive e ofruar nga MësoVET ka bërë që këto procese të jenë më interesante dhe tërheqëse për nxënësit.
“Platforma MësoVET na ka ndihmuar në çdo aspekt gjatë zhvillimit të provimeve,” thotë mësuesja Meralda. Ajo vlerëson këtë metodë si një zgjidhje efektive për zhvillimin e provimeve, duke thënë se procesi është i shpejtë dhe mësuesi kursen kohë duke dokumentuar rezultatet e nxënësve në mënyrë më të mirë. Nxënësit marrin feedback në moment pa pritur korrigjimin manual nga mësuesi.
Përsa i përket sfidave, mësuese Meralda, përmend infrastrukturën dhe lidhjen e internetit. Mësuese Meralda e vlerëson rëndësinë e disponueshmërisë së pajisjeve teknologjike për të siguruar një përvojë më të përmirësuar të provimeve online për nxënësit. ‘’Nëse do të kishim në dispozicion më shumë kompjutera dhe lidhje më të mirë të internetit, më shumë klasa do të zhvillonin provimet online në shkollën tonë’’ – thekson mësuese Meralda.