
Faza e tretë e projektit “Aftësi për Punë”: Vizion i ri për një ndikim më të gjerë në AFP
Në 22 shtator u lançua faza e tretë e zbatimit të dy projekteve të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC): projekti “Aftësi për Punë” (S4J) dhe projekti “Zhvillimi Aftësive për Punësim” (SD4E), zbatuar nga UNDP.
Hartimi i fazave të reja të projekteve është frymëzuar dhe bazuar në Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2030 dhe në portofolin e Programit Zviceran të Bashkëpunimit në Shqipëri, duke përafruar kështu kuadrin e tyre të aktiviteveve dhe duke integruar më tej mbështetjen e tyre në sektorin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri. Ky portofol i përbashkët do të sigurojë që ndërhyrjet të krijojnë sinergji për më shumë ndikim.
Pas gati një dekade mbështetjeje të 10 ofruesve të arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri, në fazën e tretë projekti “Aftësi për Punë” synon të transferojë objektet e tij të suksesshme të inovacionit (Cilësia në të mësuarit përmes punës, Marrëdhëniet me biznesin dhe rrjeti i biznesit, Diversifikimi dhe përmirësimi i ofertës, Digjitalizimi në AFP dhe Strukturat dhe proceset e brendshme) në sistemin e AFP-së në tërësi.













